Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar pas takimeve të sotme në Bruksel në kuadër të dialogut, duke thënë se zëvendëskryeministri në detyrë, Besnik Bislimi, s’ka mandat legjitim për ta përfaqësuar Kosovën në këtë process, shkruan Reporteri.net.
Sipas LDK’së, negociatat me Serbinë janë çështje të interesit të lartë shtetëror dhe nuk mund të zhvillohen nga një qeveri në detyrë dhe se çdo marrëveshje apo angazhim eventual i ndërmarrë në këtë fazë nuk do mund të prodhojnë obligime për Kosovën.
“Tentimi i z. Bislimi për ta futur Kosovën në obligime, pa patur mandat legjitim e demokratik, është i papranueshëm, antikushtetues dhe joligjor. LDK kërkon që të respektohet rendi kushtetues dhe vullneti i qytetarëve të shprehur në zgjedhje. Dialogu duhet të vazhdojë vetëm me institucione të reja, të dala nga zgjedhjet, me mandat të qartë dhe përfaqësim të plotë”, thuhet në reagim.
Në reagim theksohet se mandati i qeverisë ku Bislimi ka qenë i emëruar kryenegociator nga ka përfunduar me certifikimin e rezultateve zgjedhore të 9 shkurtit dhe se “Bislimi është vetëm ushtrues detyre, pa legjitimitet demokratik dhe pa miratim parlamentar për të marrë vendime në procesin e dialogut.”
Pas takimeve sot, Bislimi tha se u është dhënë kohë që në takimin e radhës të sjellin në mënyrë të shkruar idetë “se si mund të sigurohemi që versioni i sekuencimit të cilin kemi përfundu me z. Lajçak duhet të bëhet i pranueshëm për palët dhe të ecim tutje”.
Ai ka paralajmëruar se Sorensen mund të zhvillojë vizitë në Kosovë, teksa tha se javën tjetër ai do të dërgojë në Kosovë dhe Serbi dy nga anëtarët më të ngushtë të ekipit për të grumbulluar informata.
“… ideja ime është që z. Sorensen ka pak a shumë një vizion të qartë se si do të ecë në takimet e radhës e poashtu është dakorduar që javën tjetër të dërgojë në Kosovë dhe Serbi dy nga anëtarë të tij më të ngushtë të ekipit që të grumbullojë informata shtesë, pastaj mbase edhe të vijë vetë në fillim të muajit korrik në Kosovë dhe Serbi për të parë se cili duhet të jetë hapi i radhës. Kjo për mua tregon që ai ka një investim të madh në proces, ka dëshirë që të shohë rezultate, por ju e dini se deri më tani Serbia e ka sabotuar çdo hap të procesit dhe nuk është lehtë që të vendoset në binarë apo në trajektore të re”, ka deklaruar Bislimi.
Në fund, Bislimi tha se ideja e Sorensen është që të bëjë edhe një takim gjatë muajit korrik, para se EEAS të shkojë në pushim të verës./Reporteri.net