Bislimi kritikon BE-në dhe harron marrëveshjen e Ohrit: Ka anuar kah Serbia në dialog, nuk ka marrëveshje për Asociacionin

 

Zëvendëskryeministri në detyrë i Kosovës dhe kryenegociatori në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi, ka kritikuar ashpër Bashkimin Evropian, duke e akuzuar për anshmëri në favor të Serbisë, shkruan Gazeta Sinjali.

Në një intervistë për Deutsche Welle, ai tha se Brukseli ka akomoduar kërkesat e Beogradit, përfshirë edhe atë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Nuk ka asnjë lloj dyshimi nëse BE-ja ka qenë apo jo e anshme në këtë proces. Këtë nuk e kundërshton askush,” tha Bislimi, duke shtuar se BE-ja ka pasur “preference të qarta” për Serbinë.

Ai theksoi se Kosova nuk ka marrëveshje të drejtpërdrejtë me Serbinë për Asociacionin dhe se kjo kërkesë është shtuar në kuadër të një marrëveshjeje të përgjithshme për normalizim, pa u përmendur në asnjë nen të Marrëveshjes Bazë.

Bislimi kritikoi edhe mosbalancimin në kërkesat ndaj palëve, duke thënë se BE-ja i kërkon Kosovës të zbatojë marrëveshjet, ndërsa nuk ushtron presion të njëjtë ndaj Serbisë për obligimet e saj të pambajtura.

Gjithashtu, ai shprehu shqetësim për heshtjen e BE-së ndaj shkeljeve të të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe mungesën e reagimit për veprimet e Beogradit në atë rajon.