Bislimi fajëson Komisionin Evropian: Edhe pa fondet e BE-së, buxheti i Kosovës nuk rrezikohet

Bislimi fajëson Komisionin Evropian për fondet që rrezikohen nga Plani i Rritjes, duke thënë se nuk i është përmbajtur afateve të paracaktuara.

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka fajësuar Komisionin Evropian për vonesat që, sipas tij, kanë vënë në rrezik fondet që Kosova mund të përfitojë nga Plani i Rritjes në vlerë prej 900 mijë eurosh. Megjithatë, ai ka theksuar se edhe nëse këto fonde nuk pranohen nga BE-ja, buxheti i Kosovës nuk rrezikohet.

Ai ka deklaruar se miratimi me vonesë i Planit të Rritjes në Këshillin e BE-së ka bërë që Komisioni Evropian të mos arrijë t’u përmbahet afateve të përcaktuara nga vetë ai.

“Prandaj, nëse Komisioni Evropian do t’u përmbahej këtyre afateve të paracaktuara, ne sot do të kishim një marrëveshje të ratifikuar të Planit të Rritjes dhe do të kishim pranuar paradhënien tashmë”, ka shkruar Bislimi.

Edhe në rast se këto fonde nuk pranohen nga ana e BE-së, Bislimi ka vlerësuar se buxheti i Kosovës nuk do të vihet në vështirësi.

“Buxheti i Kosovës është substancial, dhe vonesat që janë shkaktuar si rezultat i mosvotimit për krijimin e institucioneve, në asnjë moment nuk e vendosin në vështirësi buxhetin e Kosovës, edhe nëse fondet nga BE-ja nuk pranohen”.

Sipas tij, Qeveria i është përmbajtur të gjitha afateve të përcaktuara nga Komisioni Evropian, duke dorëzuar dokumentet e nevojshme në kohë dhe me cilësi të plotë.

“Është mëse e rëndësishme të potencohet se asnjë pagesë, përfshirë paradhënien, nuk mund të humbet. Ato do të disbursohen në momentin që Kosova ratifikon marrëveshjen, dhe plani do të vazhdojë drejtpërdrejt në fazën e implementimit, ashtu siç është paraparë.”

Ndonëse qeveria e dorëhequr ka kompetenca të kufizuara, Bislimi ka theksuar se aparati shtetëror vazhdon të funksionojë normalisht.

“Shumë punë janë duke u zhvilluar dhe ministritë e institucionet e tjera të linjës po i kryejnë detyrat dhe aktivitetet e tyre brenda afateve dhe kompetencave. Marrëveshjet dhe ligjet e nevojshme po përgatiten për aprovim në Qeveri dhe Kuvend, sapo të krijohen institucionet. Andaj, as paratë dhe as zbatimi i agjendës së reformave nuk po rrezikohen.”

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një konferencë për media, pas takimit me liderët e partive politike më 15 maj, vlerësoi se pasojat kryesore nga ky zhbllokim po pësojnë qytetarët.

Me mos konstituimin e Kuvendit të Kosovës, sipas Osmanit, po zvarritet në mënyrë të panevojshme procesi i disbursimit të mjeteve financiare nga Plani i Rritjes së Bashkimit Evropian, ku Kosova do të duhej të përfitonte rreth 900 milionë euro.