Zëvendëskryeministri në detyrë i Kosovës, Besnik Bislimi, ka akuzuar kryenegociatorin serb, Petar Petkoviq, për dezinformim të qëllimshëm pas takimit trepalësh në Bruksel më 10 qershor 2025, transmeton KosovaPost.
Përmes një letre të publikuar në rrjetin social X, Bislimi ka theksuar se Serbia ka deformuar qëllimisht përmbajtjen e diskutimeve në këtë takim, duke mashtruar opinionin publik serb. Ai e ka quajtur deklaratën e Petkoviqit “mashtruese dhe të qëllimshme”, duke theksuar se vetëm 30 minuta pas përfundimit të takimit, ky i fundit kishte shkelur dakordimin për mos-deformimin e informacionit gjatë paraqitjeve publike.
“E konsideroj të domosdoshme të informoj publikun për deklaratat mashtruese të dhëna nga kryenegociatori i Serbisë, z. Petar Petkoviq, i cili me qëllim mashtron publikun serb për përmbajtjen e diskutimeve gjatë takimit trepalësh,” shkruan Bislimi në reagimin e tij.
Sipas tij, në takim ishin propozuar vetëm tre pika nga ndërmjetësi evropian: parimet bazë të ndërmjetësimit, hapat përpara në zbatimin e Marrëveshjes së Normalizimit dhe çështje të tjera të mundshme (“any other business”). Por Serbia kishte refuzuar këtë rend dite dhe kishte tentuar të imponojë një agjendë të re, gjë që, sipas Bislimit, bllokoi diskutimin e të paktën tetë temave të rëndësishme për qytetarët e të dy vendeve.
“Në mënyrë destruktive, Serbia insistoi që të braktiste i tërë rendi i propozuar i takimit dhe të imponohej një hierarki e re temash,” theksoi ai.
Bislimi bëri të ditur se dezinformimi i bërë nga Petkoviq është përhapur në media të ndryshme në Serbi, ndërsa deklarata zyrtare e publikuar në faqen e të ashtuquajturës “Zyrës për Kosovën”, sipas tij, është modifikuar më pas pa ndonjë shënim që tregon ndryshimin.
“Versioni i modifikuar në faqen e internetit ruan datën origjinale pa ndonjë shënim se është ndryshuar më pas. Pjesa tjetër e tekstit është gjithashtu ndryshuar, por vazhdon ta ndjekë skenarin propagandistik të Serbisë për të nxitur urrejtje,” shkruan Bislimi.
Zëvendëskryeministri në detyrë shtoi se ky lloj qasjeje nga pala serbe dëmton procesin e normalizimit dhe synon të dekurajojë serbët e Kosovës nga integrimi dhe bashkëpunimi ndëretnik.
The post Bislimi akuzon Petkoviqin për dezinformim pas takimit në Bruksel appeared first on Kosovapost.net.