Bisedimet Limaj-Kurti, çka u premtua e çka u kërkua?

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka pohuar se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, njëherësh edhe kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, i kishte premtuar atij postin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, para se të konstituohej legjislatura e nëntë e dalë nga zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.

Në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova, ai mbrëmë ka pohuar se për këtë kishte rënë dakord me Kurtin për t’i marrë ai, në këmbim, tri vota të Nismës për formimin e Qeverisë.

“Në qeverisje nuk marr pjesë sepse i kam arsyet e mia, krejt çka mundem me bë partneritet është në Kuvend. Për qëndrimin tonë e meritoj korrektësinë. Në ditën e dytë tha se ‘për besë s’kam mendu për këtë, por për qeverisje’”.

“U befasuam për këtë. Të nesërmen e kemi pasur dakordimin gojor dhe i kemi cakërruar gotat. Ai ka mbetur me shku me bisedu me grupin parlamentar, unë në mëngjes e kam thirrë kryesinë time”, tha Limaj.

Tutje, Limaj pohoi se Kurti, ende pa filluar seanca e së dielës për votimin e Qeverisë, i kishte thënë se do ta largojë nga posti Dimal Bashën, vetëm që t’i ketë votat e tij.

“Ma dha informatën që ‘e di që e ke pas vështirë me votu Dimalin, po e largojmë Dimalin nga kryetari i Kuvendit dhe po e çoj ministër’. Dhe qesha. Edhe natyrisht e kërkoi mbështetjen për qeverinë. Por, nuk bëhen këto punë në minuta të fundit. I thashë se për respekt erdha, meqë më ftuat, dhe po ju dëgjoj, por nuk bëhen këto gjëra në momente të fundit. U takuam në hapësirat e Parlamentit. Dhe ma kërkoi mbështetjen. Nuk provoi të hapte çështjen e posteve. Nuk dua të jem pjesë e qeverisë”, deklaroi kreu i Nismës, raporton Klan Kosova.

Ndër të tjera, Limaj tha se e ka pyetur Kurtin se ku do t’i marrë votat për qeverinë, dhe thotë se i ka thënë që “po pres me ba me juve”. Megjithatë, Limaj thotë t’i ketë thënë Kurtit se kjo punë nuk bëhet në minutat e fundit.

“Por, e pyeta, ‘nuk po e kuptoj, ku i ki numrat? S’i ke numrat! A i ki numrat? Nuk po shoh që i ke’. Më tha, ‘po pres me ba me juve’. I thashë që ‘jo në ditën e fundit, nuk mund ta votoj këtë qeveri unë’. Tha ‘okej’. 10 minuta zgjati takimi”, deklaroi Limaj.

Tutje, ai tregoi se Kurti i kishte përfshirë dy kërkesat e tij në ekspoze, që kanë qenë çështja e veteranëve – që të mos u merret paga e veteranit nëse punojnë në privat – dhe tjetra, çështja e energjisë. /Klan Kosova.tv