Zelensky thuhet se i ka kërkuar Trump-it të kthehej në propozimin e tij fillestar për një armëpushim pa kushte si pikënisje për bisedimet e paqes.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka thënë se takimi i tij i fundit me Presidentin e SHBA-ve Donald Trump në Vatikan ishte biseda më produktive që të dy kanë pasur deri më tani.
Kështu ka raportuar Interfax-Ukraine.
Duke folur me gazetarët në një seancë me dyer të mbyllura, Zelensky e ka përshkruar takimin e 26 prillit, i cili u zhvillua gjatë një vizite për të nderuar të ndjerin Papa Françesku, si “ndoshta më i shkurtri, por më thelbësori”.
Zelensky thuhet se i ka kërkuar Trump-it të kthehej në propozimin e tij fillestar për një armëpushim pa kushte si pikënisje për bisedimet e paqes.
Një veprim ky që Kievi e ka mbështetur, por Moska e ka refuzuar.
Diskutimi ka shënuar kështu takimin e parë ballë për ballë midis dy udhëheqësve që nga takimi i tyre i tensionuar në shkurt në Zyrën Ovale, gjatë të cilit Trump dhe Zëvendëspresidenti JD Vance kritikuan ashpër Zelensky-n për atë që e përshkruan si “mungesë mirënjohjeje për mbështetjen e SHBA-ve”.
“Me gjithë respektin e duhur për ekipet tona, formati kokë më kokë, sipas mendimit tim, funksionoi. Ne patëm atmosferën e duhur për bisedën”, ka treguar Zelensky.
Ai po ashtu ka shtuar se beson që takimi mund ta ketë ndryshuar perspektivën e Trump.
“Jam i bindur se pas takimit tonë në Vatikan, Presidenti Trump filloi t’i shihte gjërat pak më ndryshe. Do ta shohim. Është vizioni i tij, zgjedhja e tij në çdo rast. Mendoj se u sollëm në mënyrë konstruktive dhe me integritet, dhe kjo ka rëndësi”, ka vijuar Zelensky.
Më parë, presidenti i Ukrainës ka thënë se nënshkrimi i një marrëveshjeje të shumëpritur SHBA-Ukrainë për mineralet ishte rezultati i parë konkret i takimit të tij të fundit me Trump në Vatikan, duke e quajtur atë një rezultat “historik” të bisedës së tyre të 26 prillit.