Bild: Klubi i njohur gjerman interesohet për Rashicën

Paraqitjet fantastike të futbollistit kosovar në kampionatin gjerman kanë bërë që klubet tjera të nisin të shprehin interesim për të.

11 gola sezonalë, 10 në pjesën e dytë të sezonit, asistime dhe driblime spektakolare: Milot Rashica është njeriu i sezonit tek Werder Bremeni, shkruan Gazeta Express.

Dhe, këto janë fakte të mjaftueshme që të mos befasohemi që klubet tjera ta ndjekin nga afër futbollistin kosovar.

Sipas tabloidit gjerman “Bild”, për 22 vjeçarin interesim ka shprehur RB Leipzig.

Rashica, së bashku me Dodi Lukebakio (Fortuna Dusseldorf) e Luca Waldschmidt (SC Freiburg), janë kandidatë për sulmin e klubit gjerman.

Leipzigu dëshiron ta përforcojë repartin ofanziv në javët e ardhshme pasi Timo Werner pritet të largohet gjatë verës.

Ky klub po merr pjesë rregullisht në garat evropiane viteve të fundit dhe Rashica do ta kishte mundësinë të luajë në Champions League sezonin e ardhshëm nëse vendos të transferohet atje.

Mirëpo, klubi nga Bundesliga nuk do ta ketë të lehtë ta transferojë përfaqësuesin kosovar.

Vetëm një ofertë e parezistueshme mund t’ia ndërrojë mendjen Werderit.

Ndërkohë, Rashica dhe menaxheri i tij, Altin Lala e kanë përsëritur disa herë se futbollisti nuk e ka ndërmend ta ndërrojë klubin gjatë kësaj vere.