Bilbao fiton në frymën e fundit ndaj Atl. Madridit, PSG me “manita”. Verona “leksione” Atalantës (video)

Athletic Bilbao ka fituar 1-0 ndaj Atletico Madridit në “San Mames” për javën e 15-të në La Liga. Golin vendimtar të takimit e shënoi Alex Berenguer me një goditje fantastike në kufijtë e zonës së rreptësisë, pas asistit të marrë nga Nico Williams.

Pas kësaj fitoreje, Bilbao ngjitet në vendin e shtatë me 23 pikë, Atletico Madrid që merr humbjen e dytë rresht brenda pak ditësh, pasi në mesjavë u mund nga Barcelona, renditet në vendin e katërt me 31 pikë.

SHIKOGOLAT

Në Serie A, Verona ka rigjetur fitoren pas shumë javësh, pasi sot mundi në Bentegodi 3-1 Atalantën. Golat për vendasit u shënuan nga Belghali 28′, Giovane 36′ dhe Bernede 71′. Për bergamaskët golin e vetëm e shënoi Gianluca Scamacca në minutën e 80′ nga pika e bardhë e penalltisë.

Atalanta është shumë larg asaj që kemi parë në sezonet e fundit, duke u renditur në vendin e 12-te me 16 pikë, shumë larg zonës së Europës, ndërsa Verona e parafundit me vetëm 9 pikë.

SHIKOGOLAT

Në Ligue 1, pas humbjes së kaluar 1-0 ndaj Monaco, PSG është rikthyer sot te fitorja. Parizienët fituan 5-0 ndaj Rennes në “Parc des Princes”, për javën e 15-të në Ligue 1. Serinë e golave e hapi Kvaratskhelia në minutën e 28-të, gjeorgjiani shënoi një gol shumë të bukur, pas asistit të marrë nga Lucas Hernandez.

Mayulu dyfishoi shifrat në minutën e 38-të, pas një kombinimi të bukur me Bradley Barcola dhe Joao Neves. Në minutën e 67-të, Kvaratskhelia shënoi golin e dytë personal dhe të tretin për PSG-në, pasi një topi të humbur brenda në zonën e tyre nga lojtarët e Rennes.

Në minutat e fundit, PSG shënoi edhe dy gola të tjerë me Ibrahim Mbaye 88′ dhe Goncalo Ramos 90+2. Pas kësaj fitoreje, PSG renditet e dyta me 33 pikë, një pikë më pak se Lens i vendit të parë.

SHIKOGOLAT

The post Bilbao fiton në frymën e fundit ndaj Atl. Madridit, PSG me “manita”. Verona “leksione” Atalantës (video) appeared first on Telesport.