Bilanc tragjik pas tërmetit në Myanmar/ Konfirmohen mbi 1.000 viktima, Rusia dhe SHBA ofruan ndihma humanitare

Numri i të vdekurve në Myanmar pas një tërmeti të fuqishëm ka arritur në 1,002, dhe 2,376 të tjerë janë plagosur, sipas qeverisë ushtarake të vendit.

Kreu i qeverisë ushtarake ka konfirmuar se 30 persona janë ende të zhdukur dhe ka urdhëruar një përpjekje shpëtimi të menjëhershme pas tërmetit me magnitudë 7.7.

Tërmeti ndodhi rreth orës 12:50 në një thellësi prej 6 miljesh. Epiqendra ishte rreth 10 milje larg qytetit të dytë më të madh, Mandalay. Pas tërmetit ka pasur edhe pasgoditje, njëra prej të cilave ka pasur magnitudë të fortë prej 6.4 dhe ka ndodhur 12 minuta më vonë.

Presidenti i Kinës, Xi Jinping, ka dërguar një mesazh ngushëllimi për liderin e Myanmarit, Min Aung Hlaing, pas tërmetit. Një ekip shpëtimi kinez mbërriti në Yangon, ish-kapitalën e Myanmarit, herët të shtunën, ndërsa Rusia dhe SHBA kanë ofruar gjithashtu ndihmë humanitare dhe shpëtim.