Bie vlera e aksioneve të Teslas pas përplasjes Musk-Trump

Aksionet e kompanisë së automjeteve elektrike “Tesla” kanë rënë për më tepër se 14 për qind, duke shkaktuar humbje rreth 150 miliardë dollarë, kjo pas përplasjes së pronarit të kompanisë Elon Musk me presidentin e SHBA-së, Donald Trump,

Siç raporton agjencia “AP”, vlera e aksioneve nisi të binte pikërisht kur Trump i filloi kritikat ndaj ish-këshilltarit të tij Musk.

Trump ka kërcënuar t’ia ndërpresë kontratat qeveritare Muskut. Aksionarët e Teslas janë të shqetësuar me situatën.


Musk në një postim në rrjete sociale të enjten ka thënë se Donald Trump përmendet në dokumentet e Departamentit të Drejtësisë në lidhje me rastin ndaj ish-financierit Jeffrey Epstein dhe tha se kjo është arsyeja pse ato dokumente ende s’janë publikuar.

“Koha për të hedhur bombën vërtet të madhe”, shkroi Musk në X pas një sulmi disa orësh kundër presidentit duke pretenduar se Trump gjendet në dosjet e Epstein.

“Kjo është arsyeja e vërtetë pse ato nuk janë bërë publike. Kalofshi një ditë të mbarë, DJT”, pohoi ai.