Bie propaganda e VV-së: Brenda dy javësh, KQZ ndryshon vendimin dhe mbyll gjysmën e përfaqësive diplomatike për votim

Me 26 nëntor, KQZ kishte vendosur që votimi fizik jashtë Kosovës të organizohet në 50 përfaqësi diplomatike në 36 shtete, por vetëm disa ditë më vonë, më 10 dhjetor, ky institucion ka ndryshuar vendimin e tij.

Për shkak të numrit të vogël të votuesve të regjistruar, KQZ po planifikon që votimin ta mbajë vetëm në disa përfaqësi diplomatike.

Në mbledhjen e kësaj jave KQZ-ja ka vendosur që votimi jashtë vendit të mbahet vetëm në 37 përfaqësi diplomatike.

Gazeta Nacionale ka mësuar se edhe ky numër mund të zvogëlohet prapë.

Kjo për shkak të numrit të vogël të votuesve.

Sipas KQZ-së, numri i votuesve që do të mund të regjistroheshin për të votuar në këto 50 përfaqësi diplomatike ishte 62,700 votues, por në fund u regjistruan vetëm 20 mijë, çka e “detyroi” KQZ-në të planifikojë organizimin e votimit vetëm në 37 përfaqesi diplomatike.

Në të njëjtën ditë kur KQZ caktoi përfaqësitë diplomatike për të votuar, ky institucion shkeli ligjin për zgjedhjet e përgjithshme, duke u vënë në shërbim të Lëvizjes Vetëvendosje me vendimin për të hapur qendra tjera votimi jashtë përfaqësive diplomatike, ashtu siç kishte propozuar Ministria e Punëve të Jashtme që drejtohet nga kandidatja për deputete e këtij subjekti, Donika Gërvalla – Shwarz.

Gazeta Nacionale ka siguruar listën e përfaqësive diplomatike ku planifikohet të mbahet votimi me 27 dhjetor.

Në listë është edhe Tokio e Japonisë ku janë vetëm 2 votues të regjistruar apo edhe Kambera e Australisë me 10 votues.

Lista tregon se në 10 prej 37 përfaqësive diplomatike, numri i votuesve të regjistruar është nën 50 votues.

Në përgjithësi, nga 37 përfaqësi diplomatike, vetëm në 8 numri i votuesve të regjistruar është treshifëror.

Shkelja e ligjit nga KQZ për interesa të VV-së

Në ditën që KQZ-ja kishte caktuar përfaqësitë diplomatike për të votuar, ky institucion shkeli ligjin për zgjedhjet e përgjithshme, duke u vënë në shërbim të Lëvizjes Vetëvendosje.

Vendimi ishte marrë më 6 vota për dhe 5 kundër.

Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, i emëruar në këtë post pas shkarkimit të Valdete Dakës, votoi në mbështetje të kërkesës së Vetëvendosjes.

Nën presionin e akuzave publike, KQZ, pa votat e anëtarëve të ish-opozitës, në 26 nëntor ka marrë vendim që votimi të mbahet në përfaqësitë diplomatike të Kosovës, por edhe në 10 qendra të votimit që do të hapen në hapësira shtesë, jashtë përfaqësive diplomatike, sipas propozimit nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, që drejtohet nga kandidatja për deputete në listën e Vetëvendosjes, Donika Gërvalla – Shëarz.

Gazeta Nacionale ka raportuar se ajo që e bën edhe më shqetësues vendimin është fakti se shumica e këtyre qendrave do të vendosen në ambiente private, përfshirë restorante, lokale dhe hapësira të tjera, të cilat nuk janë të përshtatshme dhe larg standardeve shtetërore.

Kolegji i Gjykatës Supreme e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) lidhur me caktimin e qendrave të votimit jashtë Kosovës, duke vërtetuar në plotësi vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), Anr.3/2025, të datës 30 nëntor 2025.

PZAP kishte pranuar ankesën e parashtruar nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe kishte ndryshuar vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të 26 nëntorit, i cili përcaktonte qendrat e votimit jashtë vendit.

Me këtë vendim, PZAP përcaktoi që për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit 2025, qendrat e votimit jashtë Kosovës të jenë vetëm në përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës ose në hapësirat e tyre.

LVV kishte kontestuar këtë vendim në Gjykatën Supreme, duke pretenduar shkelje të dispozitave ligjore dhe duke kërkuar që vendimi i PZAP-së të anulohej. Por pas shqyrtimit të dokumentacionit, Gjykata Supreme konstatoi se ankesa e LVV-së ishte e pabazuar dhe se vendimi i PZAP-së ishte i drejtë dhe në përputhje me ligjin.