Bie prodhimi i energjisë në shkurt, importi kap shifra rekorde

Prodhimi i energjisë elektrike ka pësuar një rënie të konsiderueshme gjatë muajit shkurt 2025, sipas të dhënave më të fundit nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK). Prodhimi bruto ka arritur në 534.03 gigavat orë (GWh), duke shënuar një rënie prej 15.2 për qind krahasuar me shkurtin e vitit paraprak.

Në të njëjtën kohë, importi i energjisë elektrike ka shënuar rritje enrome. Sipas Doganës së Kosovës, gjatë tre muajve të parë të vitit 2025 janë importuar mbi 126 milionë euro energji elektrike:

  • Janar: 47,875,726.43 euro
  • Shkurt: 37,157,800.62 euro
  • Mars: 41,210,233.65 euro

Në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2024, kur vlera e përgjithshme e importit ishte rreth 44.3 milionë euro, këtë vit importi është trefishuar, duke shënuar një rritje prej rreth 82 milionë euro.

Në muajin shkurt 2025, importi energjetik arriti në 374.94 GWh, ndërsa eksporti ishte dukshëm më i ulët – vetëm 132.32 GWh. Në të njëjtën periudhë, prodhimi i thëngjillit – që mbetet baza për prodhimin e energjisë në termocentralet vendore – ishte 658.12 mijë tonë, një rritje modeste prej 1.43 për qind në krahasim me vitin paraprak, shkruan Nacionale.

Konsumi i energjisë elektrike ka ndjekur një trend në rritje, duke arritur në 536.32 GWh, që përbën një rritje prej 12.86 për qind krahasuar me shkurtin e vitit të kaluar, sipas ASK-së.

Ndërkohë, në një vendim të marrë në një mbledhje pa transparencë publike, Zyra e Rregullatorit për Energji miratoi një tjetër rritje të tarifave të energjisë elektrike. Kjo lëvizje pason tre protesta qytetare dhe paralajmërime serioze nga ekonomistët për ndikime të thella ekonomike, përfshirë një rritje të mëtejshme të çmimeve të produkteve esenciale.

Nga janari i vitit 2021 deri në shkurt 2025, inflacioni kumulativ ka arritur në 24 për qind, ndërsa çmimet e ushqimeve dhe pijeve joalkoolike janë rritur mesatarisht për 37 për qind. Gjatë kësaj periudhe, çmimi i energjisë elektrike ka ndjekur një trend në rritje eksponenciale, duke rënduar gjithnjë e më shumë buxhetin e qytetarëve.

Termocentralet vazhdojnë të dominojnë prodhimin energjetik në vend, duke gjeneruar 503.11 GWh, ndërkohë që burimet e ripërtëritshme – përfshirë hidrocentralet, erën dhe energjinë diellore – kanë kontribuar me shifra shumë më të ulëta: 13.29 GWh dhe 17.63 GWh, respektivisht.