Agjencia e Statistikave të Kosovës ka bërë të ditur se në muajin gusht 2025 janë regjistruar 2 516 lindje (brenda dhe jashtë Kosovës). Prej këtyre lindjeve të regjistruara 1 284 lindje janë meshkuj dhe 1 232 lindje janë femra.
ASK thekson se në muajin gusht 2025 ka rënie të numrit të lindjeve me rreth 6,4%, krahasuar me muajin korrik 2025.
Sipas të dhënave të fundit të Bankës Botërore për vitin 2024, Kosova renditet e para në botë për nga shkalla e tkurrjes së popullsisë, me një rënie prej -9.7 për qind.
Ky rezultat e vendos Kosovën në krye të listës së vendeve me rënien më të madhe demografike në nivel global — një shifër që ekspertët e cilësojnë si alarmante për të ardhmen e zhvillimit social dhe ekonomik të vendit.
Ndërkohë që popullsia botërore ka shënuar një rritje mesatare prej 1 për qind, Kosova po përballet me trendin e kundërt, kryesisht për shkak të emigrimit masiv drejt vendeve evropiane, në kërkim të mundësive më të mira jetese dhe punësimi.
Pavarësisht përpjekjeve të institucioneve për të frenuar largimin e qytetarëve dhe për të nxitur rritjen e popullsisë përmes subvencioneve dhe politikave stimuluese, të dhënat tregojnë se vendi po përballet me një krizë demografike të thellë.
Ndryshe, ASK ka publikuar edhe statistikat e vdekjeve.
Gjatë muajit gusht 2025 janë regjistruar gjithsej 914 raste të vdekjeve (brenda dhe jashtë Kosovës).
Nga gjithsej vdekje të regjistruara, 515 janë meshkuj dhe 399 janë femra. Krahasuar me muajin korrik 2025, në muajin gusht janë regjistruar 4,3% më shumë raste të vdekjeve.