Presidenti amerikan, Joe Biden ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv që i lejon atij të zbatojë masa të reja për të luftuar dhunën e kolonëve, duke përfshirë sanksionet që janë shpallur kundër katër ekstremistëve izraelitë që kryen akte dhune në Bregun Perëndimor.
“Ky urdhër ekzekutiv do t’i lejojë Shteteve të Bashkuara të vendosin sanksione financiare kundër atyre që drejtojnë ose marrin pjesë në veprime të caktuara, duke përfshirë akte ose kërcënime dhune kundër civilëve, frikësimin e civilëve për t’i bërë ata të largohen nga shtëpitë e tyre, duke shkatërruar ose konfiskuar prona ose duke u përfshirë në aktivitete terroriste në Bregun Perëndimor”, thotë Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i SHBA-së, Jake Sullivan në një deklaratë që u lëshua së bashku me njoftimin e masës që lideri amerikan i dërgoi Kongresit.
Sanksionet do të bllokojnë individët e caktuar nga qasjet në sistemin financiar të SHBA-së dhe do të ngrijë çdo pronë që ata tashmë mund të zotërojnë. Sanksionet do të përfshijnë gjithashtu edhe ndalimin e hyrjes në SHBA, raporton timesofisrael.
Teksti i urdhrit ekzekutiv thotë se administrata “konstaton se situata në Bregun Perëndimor – veçanërisht nivelet e larta të dhunës së kolonëve ekstremistë izraelitë, zhvendosja e detyruar e njerëzve dhe fshatrave dhe shkatërrimi i pronave – ka arritur nivele të patolerueshme dhe përbën një kërcënim serioz për paqen, sigurinë dhe stabilitetin e Bregut Perëndimor dhe Gazës, Izraelit dhe rajonit më të gjerë të Lindjes së Mesme”.
Njoftimi vjen pas kufizimeve të vizave që u njoftuan në muajin dhjetor nga Departamenti amerikan i Shtetit kundër ekstremistëve të dhunshëm në Bregun Perëndimor. Megjithatë, këto sanksione nuk përfshinin një komponent financiar. Numri i individëve të caktuar dhe identitetet e atyre nuk u bënë publike.
Ndryshe, grupet e të drejtave të njeriut thonë se kolonët dogjën vetura dhe sulmuan disa komunitete të vogla beduine, duke i detyruar ata të evakuohen në zona të tjera.