Beyonce përballet me padi për shkelje të të drejtave autoriale gjatë turneut ‘Cowboy Carter’

Beyonce është përballur me probleme ligjore për shkak të një videoje të përdorur gjatë koncerteve të saj në turneun “Cowboy Carter”.

Gjatë shfaqjes në Los Angeles, u shfaqën pamje ku ajo paraqitet duke marrë nën kontroll Sphere-in e Las Vegasit – një veprim që ka shkaktuar reagime të ashpra nga kompania ‘Sphere Entertainment Group’.

Sipas Page Six, avokatët e James Dolan, pronari i Madison Square Garden dhe Sphere, i kanë dërguar këngëtares një letër zyrtare për ndalimin e përdorimit të këtyre imazheve, duke e akuzuar për shkelje të pronësisë intelektuale, shkruan DailyMail.

Ata pretendojnë se pamjet janë përdorur pa leje dhe kërkojnë që Beyonce dhe kompania e saj Parkwood Entertainment t’i heqin menjëherë nga koncertet dhe çdo material promovues.

Afati për të përmbushur kërkesat është deri të hënën. Nëse nuk vepron, kompania ka paralajmëruar masa të mëtejshme ligjore.

Turneu i Beyonce-s vazhdon në qytete të mëdha si Çikago, Hjuston, New York dhe Londër, ndërsa mbyllet në Las Vegas në fund të korrikut – pikërisht në vendin që tani po ngjall polemika.