Betohet kryeministri i ri i Kanadasë

Mark Carney të premten është betuar si kryeministri i 24-t i Kanadasë, duke shënuar ngritje të papritur në pushtet për ish-guvernatorin e Bankës së Kanadasë dhe Bankës së Anglisë.

Më pak se një javë më parë, Carney fitoi me shumicë dërrmuese prej 85.9% të votave për ta udhëhequr Partinë Liberale. Ai nuk ka përvojë si i zgjedhur dhe nuk ka vend në Dhomën e Komunave, duke e bërë atë rast të rrallë në historinë kanadeze.

Carney pritet të shpallë zgjedhje të parakohshme në ditët në vijim, si përgjigje ndaj luftës tregtare mes Kanadasë dhe SHBA-së, si dhe për shkak të faktit që si kryeministër pa një vend në parlament, nuk mund të marrë pjesë në seancat e Dhomës së Komunave.

Sulmi ekonomik i presidentit amerikan Donald Trump ndaj Kanadasë është aq i gjerë dhe i dëmshëm sa pritet të dominojë debatin politik në muajt e ardhshëm. Nëse tarifat tregtare të vendosura nga SHBA-ja mbeten në fuqi për periudhë të gjatë, ato mund të shtyjnë ekonominë e brishtë të Kanadasë drejt recesionit dhe të shkaktojnë një sërë krizash të tjera.

Shpallja e zgjedhjeve do të kufizonte shpenzimet e partive politike, çka mund të ndikojë veçanërisht Partinë Konservatore, e cila ka buxhet të madh për fushatë. Konservatorët kryesojnë në sondazhe, por epërsia e tyre është duke u ngushtuar.

Më herët të premten, Justin Trudeau dha dorëheqjen si kryeministër, duke përmbyllur periudhë gati dhjetëvjeçare në pushtet. Në javët e fundit, mbështetja popullore për të u rrit ndërsa u përball me kërcënimet e sovranitetit të Kanadasë nga Trumpi.