Ish-deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri, ka paralajmëruar se vendi po shkon drejt zgjedhjeve të reja, raporton GazetaBlic.
Sipas Tahirit, zgjedhjet janë “të pashmangshme”, ndërsa përgjegjësinë për humbjen e kohës, energjive dhe mundësive ia atribuoi “paaftësisë së Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje për të ndërtuar ura komunikimi e bashkëpunimi”.
“Zgjedhjet janë të pashmangshme, përderisa përgjegjësia për humbjen e kohës, energjive, financave, mundësive – por edhe të shpresës – i takon, në fund të fundit, paaftësisë së Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje për të ndërtuar ura komunikimi dhe bashkëpunimi; diçka që është thelbësore për normalitetin e një demokracie”, tha Tahiri.
Ai shtoi se fokusi duhet të jetë tek krijimi i një fryme të re politike që do të mundësojë “standard, zhvillim dhe shpresë” për të ardhmen e vendit.
“Prandaj, çështja që duhet ta preokupojë secilin nuk është nëse do të ketë apo nëse duhet të ketë zgjedhje, por si të arrijmë në një stad dhe momentum ku zgjedhjet do të prodhojnë një frymë dhe klimë të re”.
“Nga kjo varet fuqia e shoqërisë për të projektuar një të ardhme ndryshe – me standard, zhvillim dhe shpresë”, tha Tahiri për GazetaBlic.



															







