Besnik Tahiri do të jetë koordinatori nacional për Reforma Shtetërore. Kështu ka vendosur Qeveria e Kosovës në mbledhjen e radhës.
Kryeministri Ramush Haradinaj, tha se Tahiri është emëruar në këtë pozitë me qëllim që reforma në këtë sektorë të jetë me efikase.
“Që t’i japim një shtytje reformimit të administratës publike, Qeveria e vendit ka vendos që të ketë koordinatorin nacional për reforma shtetërore. Këtë ia kemi besuar kolegut tim edhe të partisë këtë detyrë, zotëri Besnik Tahiri. E falënderoj për marrjen e përgjegjësisë kaq të vështirë kaq të zorshme”, tha Haradinaj.
Ndërsa, Besnik Tahiri tha se detyra e re për të është përgjegjësi. Ai u zotua se bashkë edhe me akterët e tjerë do të kryej këtë detyrë.
“Është një përgjegjësi shumë e madhe, një detyrë që më ka jep kryeministri që kabineti e ka merituar. Është detyrë që të ndërtojmë struktura që të ndërtojmë shtylla. Unë pas gati 10 vite kur kam qenë në zyrën e kryeministrit po kthehem me një detyrë që do të mundohen të kryej duke i përfshi akterët të ndryshëm të shoqërisë civile”, shprehet Tahiri.
“Na duhet një sistem që promovon qeverisjen e mirë, e që ofron efikasitet e qëdrueshmëri, përmirësimi i vazhdueshëm i politikave dhe proceseve duhet të jetë synim. E kjo për neve quhet reformë”, theksoi Tahiri.
Gjithashtu në këtë mbledhje u vendos që Moris Hyseni të jetë agjent dhe drejtor i përgjithshëm (pro bono- pa pagesë) për regjistrimin e ndërmarrjes publike e cila merret me organizimin dhe monitorimin e mjeteve të rrezikshme.
Zëvendësministri i Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Xhavit Zariqi ka propozuar në mbledhjen e Qeverisë që Moris Hyseni të marrë këtë pozitë.