Berti thumbon Leaon: Bëri mirë që e motivoi Milanin, sidomos ngaqë ndihet qartësisht inferior

“E dini çfarë po ju them? Bëri mirë, bravo Leao! Në një ndeshje të tillë është e drejtë ta motivosh ushtrinë tënde, sidomos kur je qartësisht inferior ndaj kundërshtarit”. Pa kompromise dhe me një thumbim të qartë, ish-lojtari zikaltër Nicola Berti iu drejtua numrit 10 të Milanit, pas deklaratave të fundit të portugezit mbi derbin ndaj Interit. Në intervistën për “Gazzetta dello Sport”, ai shtoi: “Këto 10 pikë diferencë në renditje nuk janë rastësi. Në qytet kemi një kushëri që është dukshëm më i mirë se tjetri, e dimë ne dhe e dinë ata…”

Më pas u ndal te puna e Cristian Chivu: “Nuk kam pasur asnjëherë dyshim për të. Është një interist i vërtetë, shumë inteligjent, trajner i përgatitur. Më pëlqen çfarë thotë dhe si e thotë, ashtu si edhe skuadra ‘vrasëse’ që ka krijuar. Në krye të Interit është ai”.

Ndërkohë, Interi nuk fiton një derbi prej dy vitesh: “Pak fat i keq dhe disa gabime, por janë cikle. Derbi të vendos përballë pasqyrës dhe të detyron të kuptosh nëse ke shpirt. Ky Inter i ka të gjitha për të fituar. Tani ka ardhur momenti ta largojë këtë tersllëk”.

 

The post Berti thumbon Leaon: Bëri mirë që e motivoi Milanin, sidomos ngaqë ndihet qartësisht inferior appeared first on Telesport.