“Bërllok, që mbrojnë kriminel” – Burri i Albulena Haxhiut i ofendon gjyqtarët

Dy anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, Alban Krasniqi dhe Sami Kurteshi, nuk e votuan certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Arsye ishte mospajtimi i tyre me vendimin e Panelit për Ankesa dhe Parashtresa dhe më pas të Gjykatës Kushtetuese për ankesën e tyre ndaj votave të ardhura me postë, për të cilat po e akuzojnë LDK-në se i ka manipuluar.

“Unë nuk e di fëmijëve në shkollë kur të shkojnë t’iu tregojnë për PZAP-në apo Supremen për këtë rast, çka kanë me iu tregu. Qysh mbroni kriminelët – pak është me thënë – që vjedhin vullnetin e qytetarëve në mënyrë të organizuar dhe ato i shndërrojnë në mandate”, tha me mllef Krasniqi gjatë mbledhjes së KQZ.

“Të kemi një situatë të tillë ku vërehen qartë shkeljet e manipulimet dhe të mos kemi veprimin e institucioneve që paguhen për ta kryer detyrën e tyre. Këto shkelje nuk i kemi paraqitur vetëm ne, por edhe të tjerët, në Prokurorinë e Shtetit. Si anëtar i KQZ-së duke e parë trendin bashkë edhe me kolegët tjerë që e dinë këtë të vërtetë dhe të mos merret asnjë veprim për shkak të ndërhyrjeve nga brenda e jashtë në këto institucione politike e parapolitike, është pak me thënë le të mbetet në ndërgjegjen e tyre. Por, unë uroj të ndodhë një Vetting që na e heq bërllokun prej këtyre institucioneve ku ka bërllok të tillë, i cili na e pamundëson votën e lirë, vullnetin e lirë të qytetarëve dhe institucione që janë edhe të përgjegjshme edhe kredibile”.

Vetëvendosje për ankesën e hedhur poshtë si “të pathemeltë” do t’i drejtohet edhe Gjykatës Kushtetuese.

“Ta shohim në Kushtetuese”, tha Krasniqi para se certifikimi të hidhej në votim, ndërsa nervozizëm shfryu edhe për KQZ-në.

“Edhe institucionin tim e konsideroj të dështuar në këtë drejtim, sepse e kanë vërejtur dhe heshtin e s’flasin”.

Sidoqoftë, KQZ certifikoi rezultatet me nëntë vota për dhe dy kundër.