Berishaj nën hetim për shpëlarje parash dhe shmangie tatimore – është intervistuar nga Prokuroria Speciale

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka konfirmuar se ndaj ish-ambasadorit Martin Berishaj janë duke u zhvilluar hetime për tri vepra penale të natyrës financiare, përfshirë “Shpëlarje e parave”, “Shmangie nga tatimi” dhe “Mos raportimi apo raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”.

Zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Arbnora Luta, ka bërë të ditur për Ekonomia Online se Berishaj është intervistuar të enjten nga hetuesit e kësaj prokurorie si pjesë e procedurës hetimore që është në zhvillim.

“Referuar kërkesës suaj, mund të konfirmojmë se z. Martin Berishaj është intervistuar të enjten nga Prokuroria Speciale, në kuadër të hetimeve që janë duke u zhvilluar ndaj tij lidhur me veprat penale ‘Shpëlarje e parave’, ‘Shmangie nga tatimi’ dhe ‘Mos raportimi apo raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare’,” tha Luta për EO.