Berisha: Vardisja e Kurtit, me sherr – për 20 vjet e ka ofenduar Limajn tash e bëri “Çelik”

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, partinë Nisma Socialdemokrate të Fatmir Limajt e ka quajtur parti simotër, pasi tha se të dyja janë ideologjikisht të majta.

Zafir Berisha nga Nisma Socialdemokrate tha se kjo vardisje e Kurtit dhe gjuha si fliste, sipas tij, është me sherr.

“Kjo vardisje e kësaj natyre që e pati Kurti në intervistë dhe gjuha e mimika si fliste, është me sherr. Së pari, Nisma Socialdemokrate nuk ka të bëjë kurrgjë me Vetëvendosjen. Me thënë dhe me u sjellë si e majtë është tjetër gjë”.

“Në qeverisjen e Kurtit, prej 30 centëve në 80 cent është bërë buka, vaji nga 70 cent në 1.8 euro, tri herë është ngritur çmimi i energjisë politike, këto janë politikat e tij të majta”, tha Berisha në Klan Kosova.

Tutje, Berisha tha se këto deklarata, Kurti i ka për konsum të brendshëm dhe politikë ditore, teksa të njëjtën e quajti edhe befasuese.

“Është Albin Kurti me të vetët që për afro 20 vite e ka sulmuar Fatmir Limajn, nuk ka lënë gjë në tokë pa ofenduar, fyer e linçuar dhe për një moment është bërë Komandant ‘Çeliku’”, tha ai.