Ish-kryeministri i vendit Sali Berisha e tha edhe sonte, 11 dhjetor, përballë gazetarit Blendi Fevziu në “Opinion” se “ai është kosovar” dhe se asnjëherë në jetën e tij nuk ka bërë dallim mes Kosovës dhe Shqipërisë.
Foli edhe për burgosjen e katër ish-krerëve të UÇK-së.
Sali Berisha: Zotëri, unë jam kosovar, unë nuk mendoj dot…
Pyetje: Si je kosovar?
Sali Berisha: Jam kosovar unë, Tropoja është Kosovë, siç është Mitrovica, Suhareka. Po të më pyesësh mua, unë mendoj sa për Shqipërinë, edhe për Kosovën, nuk kam ndonjë dallim..
Po a ishte i tensionuar raporti i tij me Hashim Thaçin?
“Jo absolutisht! Ka ardhur në zyrë dhe i kam dhënë mbështetje të plotë, kthehu të mitingu, te deklaratat e mia për UÇK-në”, u përgjigj kryedemokrati.
Madje, kujtoi momentin kur një zyrtar britanik i kishte thënë se “ai është komisar i UÇK-së”.
“Jo i them unë, nuk jam komisar. Unë e mbështes luftën dhe lëvizjen. Pse thotë atëherë, shtëpia jote është bërë bazë e tyre? Është bërë bazë prej traditës së familjes time, bindjes time. Ata janë vrarë për Kosovën”, rrëfeu Berisha.
Për katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që ndodhen në Hagë, tha me bindje se “ata janë të pafajshëm”.
“Kur them këtë, unë jam njeri që pranoj plotësisht ligjin e vendit dhe atë ndërkombëtar, por deri sot, nuk kam gjetur asnjë dëshmi të vetme, të faktojë krimet e tyre”, deklaroi kryetari i PD-së.
Deklaroi se pas luftërave të Skënderbeut, lufta e UÇK-së është “faqja më e ndritur e luftërave të shqiptarëve”./Tv Klan











