Berisha: Nuk i njohim zgjedhjet e 11 majit, kërkojmë qeveri teknike dhe zgjedhje të reja

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka përsëritur qëndrimin e tij se zgjedhjet e 11 majit nuk njihen nga opozita. Në një intervistë për A2CNN, Berisha u shpreh se çdo vendim, përfshirë edhe braktisjen e 50 mandateve në Kuvend, do të merret në kohën e duhur

Ai nënvizoi se opozita do të angazhohet për krijimin e një qeverie teknike dhe organizimin e zgjedhjeve të reja.

 

“Zgjedhjet ne nuk i njohim dhe do të bëjmë çdo përpjekje për një qeveri teknike dhe zgjedhje të reja. Deri tani nuk kemi vendosur asgjë, do të ketë diskutime. Por, nëse krijohet qeveri teknike, do të krijohet me objektiva të caktuara”, deklaroi Berisha.

Sipas tij, ndryshimi do të vijë përmes protestës qytetare: “Qeverinë teknike do ta bëjnë të mundur shqiptarët me revoltën dhe protestën e tyre”.

Berisha shtoi gjithashtu se një mirëkuptim i gjerë ndërkombëtar do të ishte i dobishëm, ndërsa theksoi se ka mbështetje për idenë e qeverisë teknike nga të gjitha partitë e spektrit opozitar, përfshirë liberalët dhe socialdemokratët