Gjykata Themelore në Pejë – Departamenti i Përgjithshëm Penal, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Pejë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit XH.T për shkak të dyshimit të bazuar se :
Me datë 02.08.2018, rreth orës 10:30, në Pejë, me dashje i shkakton lëndime trupore të dëmtuarit – të miturit D.B, në atë mënyrë që pasi i pandehuri takohet me të dëmtuarin dhe ja kërkon një duks të markës “Adidas” ndërsa, i dëmtuari kishte refuzuar t’ia jap me arsyetimin se ishte pronë e tij, në atë moment i pandehuri e sulmon fizikisht, ku si pasojë të dëmtuarit i humbë vetëdija dhe i shkakton lëndime të lehta trupore.
Me datë 06.05.2019, rreth orës 00:59, në Stacionin Policor në Pejë, ka bërë lajmërim të rremë në atë mënyrë që përmes telefonit, në linjën emergjente të policisë 192, ka lajmëruar policinë se kinse në lagjen “Kapeshnica” në Pejë, është duke u djegur një shtëpi e banuar, në të cilën kishte edhe fëmijë, të cilin lajmërim e ka bërë tri herë rradhazi, ku në bazë të lajmërimit në vendin e paraqitur kanë dalë shërbimi i zjarrfikësve të shoqëruar me policinë, të cilët nuk kanë vërejtur ndonjë zjarr, më pas i pandehuri i kontakton përmes telefonit prapë policinë duke u tallur dhe duke ju thënë se ka bërë hajgare me të njëjtit.
Me datë 25.04.2019, rreth orës 22:00, nga Stacioni Policor në Pejë, pas lëshimit të vendimit nga Prokuroria Themelore në Pejë për ndalimin e personit në fjalë, gjersa ishte në mbajtje të këtij urdhri arrin të arratiset nga ky institucion, në atë mënyrë që ditën kritike gjersa i pandehuri ishte në pritje të vendimit për caktimin e masës së sigurisë së të pandehurit në procedurë, arrin ta vë në lajthim policin që ishte në përkujdesje të tij duke kërkuar të shkojë në tualet dhe pasi kishte hy aty arrin ta hap dritaren në anën e pasme të objektit dhe ikë në drejtim të panjohur, ashtu që pas një pune operative nga hetuesit policor i njëjti është arrestuar dhe është sjellë në stacionin policor.
Me këto veprime i pandehuri dyshohet se ka kryer veprat penale lëndim i lehtë trupor, lajmërim apo kallëzim i rremë dhe arratisje e personit të privuar nga liria.
Të pandehurit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji.
Kundër këtij vendimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit