Kandidati për deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri, ka deklaruar se veprimet e Qeverisë Kurti në veri të vendit do të kishin pasur pasoja shumë më të rënda, po të mos mbështeteshin nga aleatët ndërkombëtarë.
Në Tëvë1, Beqiri ka thënë se pa këtë mbështetje, situata në veri do të kishte eskaluar edhe më tej.
“Veprimet në veri, po të mos mbështeteshin nga ata që i kemi garant, fatkeqësisht do të kishin ndodhur edhe shumë raste të tjera si Banjska. Synimi ynë duhet të jetë integrimi i asaj pjese të vendit dhe i atij komuniteti, dhe këtë mund ta arrijmë vetëm në bashkëpunim me miqtë tanë ndërkombëtarë”, ka deklaruar Beqiri.
Sipas Beqirit, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, po e përdor situatën në veri për të zhvendosur vëmendjen nga problemet e brendshme të vendit.
Ai ka shtuar se Kosova nuk përbëhet vetëm nga veriu, por ka probleme serioze edhe në jug, lindje dhe perëndim të vendit.
“Ne do ta përkrahim çdo veprim dhe vendim të mirë, por ajo që është shqetësuese është se, pas kthimit të kryetarëve në katër komunat veriore, kanë filluar të hiqen simbolet shtetërore. Nëse kryeministri ka tentuar ta paraqesë situatën në veri si një rezultat, tani po përpiqet ta kamuflojë atë dhe ta zhvendosë vëmendjen nga problemet e jashtëzakonshme që ekzistojnë në pjesën më të madhe të vendit. Kosova nuk është vetëm veriu; ajo ka edhe jugun, lindjen dhe perëndimin, ku ka probleme të mëdha. Përmes zhvendosjes së vëmendjes në veri, po tentohet të krijohet përshtypja se gjithçka është në rregull,” ka thënë ai.
Beqiri ka kritikuar edhe qeverisjen pesëvjeçare të Albin Kurtit, duke thënë se Kosova nuk ka qenë kurrë në gjendje më të keqe.
“Kurti po sillet sikur gjithë bota sillet rreth tij. Ai sheh zhvillim ekonomik, perspektivë dhe që qytetarët nuk po largohen nga vendi, ndërsa realiteti është krejt i kundërt”, ka përfunduar Beqiri.











