Beqa: Nuk mund të merremi me Asociacionin pa pasur “zot shtëpie” legjitim

Ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Hajdar Beqa, për FrontOnline ka folur pas deklaratave të ambasadorit të Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, dhe ambasadorit të Francës, Olivier Guerot, të cilët ritheksuan qëndrimin e qartë të Berlinit dhe Parisit se Kosova duhet të ndërmarrë hapa konkretë për ta dërguar draft-statutin e Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese.

Beqa vlerësoi se situata aktuale politike në vend nuk i krijon kushtet për trajtimin e kësaj teme të ndjeshme dhe se më prioritar është krijimi i institucioneve legjitime.

“Konsideroj se temë është me pas një marrëveshje politike që me u kriju institucionet. Për teke të Kurtit jemi pezullu në çdo institucion dhe nuk ka kush të merret me këtë çështje dhe nuk kemi as konstituim të Kuvendit,” deklaroi Beqa për FrontOnline.

Sipas tij, mungesa e institucioneve funksionale e bën të pamundur adresimin e çështjes së Asociacionit dhe çfarëdo hapi tjetër që kërkon përfaqësim politik e institucional.

“Së pari duhet me u konsistu Kuvendi, me u bërë Qeveria. Nuk mund të merremi me këtë temë derisa nuk ka zot shtëpie legjitim,” theksoi ai.