Trajneri José Mourinho nuk e fshehu zhgënjimin e tij pas humbjes 1-0 në shtëpi kundër Bayer Leverkusen, në ndeshjen e tyre të javës së katërt të fazës së grupeve të Champions League. Pavarësisht dominimit dhe 21 gjuajtjeve në portë, Benfica doli e humbur dhe mbetet ende pa pike, në fund të renditjes.
“Më dhemb zemra sepse krijuam shumë, luajtëm mirë, por nuk arritëm t’i shndërronim në gol. Goli i pësuar ishte një gabim i Dahl, por ai ka luajtur një ndeshje të shkëlqyer. Ne u përpoqëm të reagonim, por ata e mbyllën me katër ose pesë gjigantë dhe ne nuk jemi një ekip shumë i fortë në ajër”, tha Mourinho.
Trajneri portugez, megjithatë, shprehu kënaqësi me performancën e përgjithshme: “Rezultati është zhgënjyes, por jam shumë i lumtur me cilësinë e lojës. Djemtë ekzekutuan gjithçka që përgatitëm gjatë javës në mënyrë perfekte. Nëse e përsërisim këtë ndeshje dhjetë herë, do ta fitojmë nëntë herë.”
Pavarësisht disavantazhit në Champions League, “Special One” nuk dorëzohet: “Jemi 12 pikë larg kreut, nuk na duhen 12 për të avancuar, ndoshta 9 ose 10. Është e vështirë, por nëse marrim 6 pikë në dy ndeshjet e ardhshme, jemi ende në garë. Humbëm dje por luajtëm një ndeshje të shkëlqyer.”
The post Benfica e fundit në Champions, Mourinho i zhgënjyer: Më dhemb zemra, me dy fitore rikthehemi në garë appeared first on Telesport.












