Drejtori i Bujqësisë në Komunën e Skenderajt, Sokol Sallahu, është kërcënuar sot nga Behram Jashari. E për këtë ka reaguar kryetari i Komunës, Bekim Jashari.
Jashari në reagimin e tij thotë se Skenderaj nën udhëheqjen e tij nuk do të jetë i një familje apo grupi të caktuar, dhe ka ftuar organet e drejtësisë që në mënyrë të pavarur të merren me rastin dhe sulmuesin e drejtorit.
Postimi i plotë i Bekim Jasharit:
Të nderuar qytetarë,
Sot në vendin e tij të punës është sulmuar drejtori i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Sokol Sallahu, një nga ekspertët e rrallë të kësaj fushe, i vlerësuar jo vetëm nga ne, por edhe nga asociacionet dhe organizatat ndërkombetare, i cili gjithashtu i përzgjedhur nga Agjencioni Japonez për Ndërtim, për të përfaqësuar Kosovën në Japoni, pa përmendur këtu edhe vlerësime të tjeta të rëndësishme për profesionalizmin e tij.
Qeveria të cilën unë e udheheq vlerëson lartë punën e drejtorit Sokol Sallahu, i cili ka arritur të zhvillojë shumë projekte në fushën e bujqësisë dhe të menaxhojë me sukses këtë sektor shum të rëndësishëm të zhvillimit të vendit.
Projektet, subvencionet, mbeshtetja për zhvillimin e bujqësisë përfshirë sektorët e saj, fitohen vetëm në mënyrën meritore, profesionale, pa njoftësi, interferime e kërcenime, qofshin ata edhe kusherinjë te gjakut tim.
I bëj me dije Behram Jasharit dhe të tjerëve si ai, se duhet të mesohen t’i repektojnë rregullat dhe ligjet e shtetit tonë dhe të respektojnë të tjerët, sepse ata që u flijuan për këtë vend, anë e kënd Kosovës, ranë që ky vend të jetë i lirë dhe i zhvilluar, dhe asessi që ne pasuesit e tyre t’i kërcenojmë dhe sulmojmë të tjerët për interesa personale.
Komuna e Skenderajt, nën udhëheqjen time, nuk do të jetë e Jasharajve, Mehajve, Lushtakve, Geceve, etj, nuk do të jetë e një familjeje apo grupi të caktuar, por do të jetë e të gjithë qytetarëve pa dallim.
Ftoj organet e drejtësisë që në mënyrë të pavarur të merren me rastin dhe sulmuesin e drejtorit ta vënë para organeve të drejtësisë.