Behrami shpërthen pas vendimit të Hagës për Thaçin: Po doni me e dërgu në Hanë për izolim total

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Artan Behrami, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të fundit të Hagës, për t’ia kufizuar vizitat ish-presidentit Hashim Thaçi.

Behrami e cilësoi atë si një shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut.

Ai tha se vendimi në fjalë është “krejtësisht jashtë kontekstit kohor” dhe “pjesë e një skenari të qëllimshëm të Gjykatës për të krijuar drama dhe spektakle”.

“Është shumë e dhimbshme të shihet se si Gjykata aprovon të gjitha çmenduritë e Prokurorisë për izolimin total të Presidentit Thaçi”, theksoi ai.

Deputeti i PDK-së, e ka akuzuar Gjykatën se po përpiqet ta shkëpusë Presidentin Thaçi nga populli i tij, duke shtuar me ironi:

“Ju ka mbetur vetëm ta dërgoni në Hanë për ta izoluar krejtësisht, se izolimi që po ia bëjnë në Hagë po u duket pak!”, deklaroi ai.

Derisa, në përfundim të reagimit të tij, Behrami dërgoi një mesazh të qartë:

“Kot e keni. Asnjëherë nuk do të mund ta shkëpusni nga populli!”.

Vendimi i Dhomave të Specializuara në Hagë, ka nxitur reagime të ashpra.