Behrami për ‘agjendën e VV’së’: Presidentja po do të blejë disa ditë kohë për zgjedhje

Deputeti i PDK-së paralajmëroi se presidentja e Kosovës po hyn në agjendën e VV-së duke tentuar t’i shpallë zgjedhjet në datën që i përshtatet partisë së Albin Kurtit.

Artan Behramit tha se shumica e partive politike shprehën qëndrimin e qartë se presidentja duhet t’i shpallë që sot zgjedhjet e reja.

Por, sipas tij, ajo po tenton që ta zvarrisë edhe më tej procesin në mënyrë që të shkohet drejt datës 28 dhjetor, datë kjo që kërkohet nga VV-ja.

”Çdo përpjepje për të shtyrë, zvarritur afatin, ajo sërish hyn në agjendë të VV-së. Takimi eventual i Presidentes me përfaqësuesin e saj në KQZ e ka vetëm një qëllim: blerjen e disa ditëve kohë për të hyrë në agjendë të VV-së”, shkroi Behrami në Facebook.

Nëse zgjedhjet shpallen sot, atëherë është e mundur që zgjedhjet të mbahen më 21 dhjetor. Por, nga pasnesër do të ishte e pamundur kjo datë dhe pastaj me gjasë do të zgjedhej data 28, pra mes Krishtlindjes dhe Vitit të Ri.