Behrami: Pas pezullimit të Dialogut Strategjik nga ShBA-ja, VV-ja filloi fushatën e relativizimit

Deputeti i PDK-së, Artan Behrami, ka bërë me dije se pas pezullimit të Dialogut Strategjik nga ShBA-ja partia e Albin Kurtit ka filluar fushatën e relativizimit të këtij fakti.

Këtë fushatë ai e ka përmbledhur në pesë çështje.

Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se kjo fushatë është propagandë e kulluar e VV-së.

“Pas suspendimit të Dialogut të Marrëdhënieve Strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, VV-ja filloi fushatën e relativizimit. Propaganda #1 e VV-së: “Ky është qëndrim i Ambasadës, jo i Departamentit të Shtetit.” E pavërtetë! Pikërisht në Gazetën Express, vetë Departamenti i Shtetit konfirmoi fatkeqësisht suspendimin. Ambasada është vetëm zëdhënëse – nuk bën politikë të Jashtme, ajo vetëm e zbaton atë. Madje, dolën edhe dy ish-diplomatë amerikanë – Hovenier & Moore – që e rrënuan krejtësisht propagandën e VV-së. “Disa thonë se Albin Kurti dhe Qeveria e Kosovës ende kanë marrëdhënie të mira me SHBA-në, por, kjo, thjesht, nuk është e vërtetë”. Ku e tha këtë Hovenier? Në një medium amerikan! Pra, kjo propagandë bie poshtë. Iku kjo! Propaganda #2: “Trumpi dhe Grenelli po luftojnë Albin Kurtin!”. Manipulim! Hovenier është një nga njerëzit më lojalë të Presidentit Biden dhe të demokratëve. Intervista e tij për Radion Evropa e Lirë e dëshmon qartë: në SHBA ka konsensus mbipartiak për sanksionet ndaj Kurtit”, ka shkruar ia, duke dhënë detaje tjera.

“Propaganda #3: “Nuk është gjë e madhe, ndodh mes miqve.” Jo, nuk është kështu! Është dëshmuar se nuk kemi të bëjmë me një keqkuptim momental mes aleatëve, por me një krisje serioze, me pasoja potencialisht fatale për shtetin e Kosovës. Propaganda #4: “Amerika i suspendoi marrëdhëniet për të mbrojtur Listën Serbe.” Gënjeshtër e radhës! Hovenier e bëri shumë të qartë: sanksionet nuk janë pasojë e një akti të vetëm, por rezultat i një politike të vazhdueshme që ka sfiduar këshillat dhe kërkesat e SHBA-së. Pra, kupa u mbush! Propaganda #5: “Vetëm Amerika është kundër Kurtit.” Fake Neës! Të gjitha shtetet e Kuintit – SHBA-ja, Gjermania, Britania, Franca dhe Italia – ndajnë të njëjtin qëndrim. Nuk është një përplasje mes partive në SHBA, është një qëndrim i bashkërenduar ndërkombëtar i shteteve perëndimore që kanë mbështetur çlirimin, lirinë dhe pavarësinë”, ka shkruar Behrami.