Behrami: Në kongres s’janë shumë të informuar për Specialen, diplomacia kosovare s’e ka adresuar si duhet

Artan Behrami, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, i ftuar në FRONTAL në T7 ka folur për vizitën që po zhvillon në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku ka thënë se qëllim i tij për këtë vizitë ka qenë adresimi i shqetësimeve në procesin gjyqësor ndaj krerëve të UÇK-së, shkruan Gazeta Express.

‘‘Qëllimi im kryesor pa dyshim i kësaj vizite ka qenë adresimi i shqetësimeve për shkeljen e të drejtave të njeriut për një proces që ka dalë jashtë shinave normal të një procesi gjyqësor kundër krerëve të UÇK-së në Hagë’’, ka thënë ai.

Tutje, ai ka kritikuar edhe qeverinë Kurti, duke thënë se për shkak të ministrisë së Jashtme, roli i shqiptaro-amerikanëve është zbehur në SHBA, pasi që MPJD, siç ka thënë Behrami s’i ka parë shqiptarët atje si aleatë të denjë.

‘‘Janë pikërisht shqiptaro-amerikanët që kanë hapur rrugë edhe në kongrese edhe në senat edhe në Shtëpinë e Bardhë. Çfarë ka ndodhur në këto vitet e fundit është që roli i tyre është zbehur për shkak që shteti i Kosovës, sidomos ministria e Jashtme nuk i ka pa më ata si aleatë të denjë shqiptaro-amerikanët për të lobuar në administratë. Të gjithë shqiptaro-amerikanët janë në gjendje të mobilizohen edhe një herë për ti adresuar të gjitha padrejtësitë që po ndodhin në Hagë’’, ka deklaruar ai.

Tutje, ai ka theksuar se një pjesë e madhe në Kongresin amerikan nuk janë të informuar shumë në detaje për temën e Speciales, dhe se, siç ka thënë Behrami, ‘‘kjo tregon mungesën e diplomacisë kosovare për këtë temë’’.

‘‘Çfarë vlen të theksohet është se një pjesë e madhe në kongres nuk janë shumë të informuar në detaje për këtë temë, dhe kjo tregon mungesën e diplomacisë kosovare për këtë temë. Shihet që nuk është adresuar si duhet kjo tema e Hagës, por në të njëjtën kohë ka shumë gatishmëri të madhe  që me i adresuar të gjitha shqetësimet që janë reale që vijnë edhe nga mbrojtja e krerëve të UÇK-së por edhe nga qytetarët’’, ka thënë ai mes tjerash.  /GazetaExpress