Bëhet thirrje për vaksinim, pas rritjes së lehtë të rasteve me grip sezonal

Mjekë të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë u kanë drejtuar thirrje qytetarëve për vaksinim kundër gripit sezonal, pas evidentimit të rritjes së lehtë të numrit të rasteve gjatë kohëve të fundit. Ndonëse kanë thënë se aktualisht situata nuk është e përmasave shqetësuese, ata kanë paralajmëruar se tipat e viruseve që e shkaktojnë grupin mund të shkaktojë komplikime serioze, veçmas te të moshuarit, fëmijët dhe personat me sëmundje kronike.

Thirrje për vaksinim kundër gripit sezonal u kanë drejtuar qytetarëve mjekë të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Prishtinë, pasi kanë thënë se gjatë kohëve të fundit është evidentuar një rritje e lehtë e rasteve të reja.

Me gjithë rastet e fundit, mjekët kanë theksuar se situata me gripin nuk është në përmasa shqetësuese.

Vjollca Zeqiri, e cila është drejtore e QKMF-së në Prishtinë, ka bërë të ditur se kundër gripit janë vaksinuar nga 1 tetori e deri më tash rreth 8 mijë e 600 qytetarë.

“Shumica janë të moshuar, do të thotë 60 e më shumë vjeç, por kemi edhe grupmosha të tjera ama shumica janë të moshuar. Vaksina ende kemi. Më së miri do të ishte tash të vaksinoheshin të gjithë qytetarët, ata që kanë indikacione për vaksinim megjithatë vaksinimi vazhdon deri në muajt e tjerë – mars, prill, maj”, ka theksuar ajo.

Lidhur me rastet e reja të grupit, Zeqiri ka thënë se janë shkaktuar kryesisht nga tri lloje virusesh – ai i tipit A, i tipit B dhe C. Ajo ka paralajmëruar se tipat A dhe B mund të shkaktojnë forma më të rënda të sëmundjes, të cilat më së shpeshti i prekin personat me sëmundje kronike, të moshuarit, gratë shtatzëna dhe fëmijët nga mosha dy deri në pesëvjeçare.

“Tipi A, A dhe B shkaktojnë forma më të rënda të sëmundjes dhe shkaktojnë simptoma të cilat mund të jenë nga forma më të lehta deri në ato mesatare dhe më të rënda. Gripi shkakton kryesisht simptomat… i atakon rrugët e sipërme respiratorë, duke shkaktuar si teshtitje, kollitje, ethe, temperaturë”, ka thënë ajo.

Zeqiri ka numëruar edhe komplikimet që mund t’i shkaktojë këta tipa të virusit.

“Komplikimet të cilat mund të ndodhin si pasojë e virusit të influencës janë… duke filluar nga pneumonia që është kërcënuese për jetën, pastaj inflamacionet e cipave të trurit, inflamacionit të cipave të zemrës, pastaj inflamacionit të mioziti”, ka paralajmëruar ajo.

Krahas vaksinimit, Zeriqi ka bërë thirrje që qytetarët t’i kushtojnë edhe kujdes të veçantë higjienës personale, pasi ka thënë se virusi përhapet shumë lehtë nëpërmjet kontaktit të afërt.

Zeqiri ka paralajmëruar gjithashtu që qytetarët të mos përdorin antibiotikë pa përshkrim mjekësor, pasi ka informuar se ata veprojnë vetëm ndaj baktereve e jo ndaj infeksioneve virale, dhe se përdorimi i tyre shkakton efekte anësore të dëmshme.