Bëhet thirrje për reflektim e solidaritet në festën e Kurban Bajramit, përmendet edhe ngërçi politik

Besimtarët myslimanë festojnë sot festën e Kurban Bajramit.

Ruajtja e moralit, kulturës gjuhës dhe kombit ishte thirrja e myftiut të Kosovës, Naim Tërnava në ligjëratën e mbajtur gjatë manifestimit qendror të Kurban Bajramit, në Xhaminë e Madhe në Prishtinë.

Duke apeluar për familje më të mëdha, ai i propozoi Qeverisë së Kosovës që t’iu jap falas nga një shtëpi të gjitha familjeve që kanë katër ose më shumë fëmijë.


“Në këtë kohë Kosova po përballet me një rënie serioze të natalitetit. Familje të reja ngzurrojnë të lindin më shumë se një apo dy fëmijë për arsye të ndryshme, shpesh ekonomike, por edhe për shkak të frikës dhe pasigurisë. Disa po migrojnë nga Kosova dhe vendet tjera shqiptare, disa edhe në këtë kohë kur po flasim po asimilohen duke humbur gjuhën e nënës. Parimet e fesë islame nxisin që ne të kemi familje të madhe, të mos frikësohemi për riskun e tyre, sepse atë e ka garantuar Allahu.Rënia e natalitetit është alarm kombëtar, shteti duhet të reagojë me shpejtësi të madhe, të mbështesë familjet me politika pro natalitetit.

Shteti duhet të ketë strategji të qartë për ndihmë ekonomike, arsimore, shëndetësore dhe sociale për këto familje e këta fëmijë. Në ligjëratën para besimtarëve, Tërnava theksoi rëndësinë e sakrificës, bashkimit dhe vlerave familjare. Derisa shtoi se Festa e Bajram Bajramit është ditë gëzimi por edhe reflektimi. Te çdo çift që kanë katër e më shumë fëmijë i propozoj Qeverisë që t’ua dhurojë të gjithëve nga një banesë gratis”, tha Tërnava.

Ai përmendi edhe zhvillimet politike gjatë pritjes së kryeminsitrit në detyrë, Albin Kurti, Tërnava tka ironizuar në një moment të bisedës, duke thënë se do të donte t’i ftonte të gjithë deputetët ta prenë nga një kurban.

Kështu u shpreh ai me shpresën se do të ndihmonte kjo në zgjidhjen e ngërçit politik.

“Desha t’i ftojë të gjithë anëtarët e Parlamentit ta premë nga një kurban. Ndoshta po ju shkon më mbarë e mirë. Ndoshta hapen rrugët. Temë e kam pasur natalitetin dhe kam kërkuar kush i ka nga 4-5 fëmijë t’i bëhet një banesë se po zbehet Kosova. Ka rënë shumë nataliteti”, ka thënë Tërnava.

Edhe liderët politikë kanë bërë thirrje për paqe e solidaritet.

Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se Kurban Bajrami është thirrje për reflektim mbi vlerat më të larta njerëzore.

“Kjo festë shpërfaqë shpirtin e solidaritetit, na kujton rëndësinë e sakrificës, përkushtimit dhe ndihmës ndaj njëri-tjetrit. Kurban Bajrami është një thirrje për reflektim mbi vlerat më të larta njerëzore dhe për forcimin e lidhjeve, dashurisë dhe mirëkuptimit ndërmjet nesh”, ka thënë Osmani.

Kryeministri në detyrë Albin Kurti teksa ka bërë thirrje për solidaritet ka thënë se kjo festë përkujton rëndësinë e të dhënit dhe ndarjes me njëri-tjetrin.

“Pranë familjes, pranë të afërmve e më të dashurve tanë, e festojmë këtë ditë duke qenë zemërgjerë e duke shtuar solidaritetin. Kjo festë na përkujton sa e rëndësishme është të japim e të ndajmë me njëri-tjetrin, në harmoni e me dashuri. Andaj ajo është gjithashtu ftesë për secilën e secilin që të angazhohet për barazinë si fill të shoqërisë, e ku begatinë dhe mirëqenien i gëzojnë të gjithë”, ka shkruar Kuri,

E kreu i PDK-së, Memli Krasniqi ka thënë se nga kjo festë duhet të frymëzohemi për të qenë më pranë njëri-tjetrit dhe më të përkushtuar ndaj atdheut tonë.

“Sot, kur shoqëria jonë ka nevojë më shumë se kurrë për solidaritet dhe mirëbesim, le të frymëzohemi nga kjo festë për të qenë më pranë njëri-tjetrit dhe më të përkushtuar ndaj atdheut tonë. Zoti e bekoftë popullin tonë me paqe, shëndet dhe mirësi”, ka shkruar Krasniqi.

Edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka uruar besimtarët myslimanë me rastin e festës së Kurban Bajramit, duke uruar reflektim e solidaritet.

Kreu i LDK-së ka theksuar rëndësinë e kësaj dite për paqen dhe dashurinë ndërnjerëzore.

“Kjo ditë e sakrificës, solidaritetit dhe dashurisë ndaj njëri-tjetrit le të na shërbejë si reflektim e kujtesë për vlerat më të larta njerëzore, përkushtimin ndaj Krijuesit, dashurinë për njëri-tjetrin, dhe gatishmërinë për të ndihmuar ata që kanë më shumë nevojë. Në këtë festë ju uroj shëndet, lumturi dhe begati; me besim që harmonia dhe mbarësia të jenë gjithnjë udhërrëfyes në shoqërinë tonë. Me fat, Kurban Bajramin”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.

Ndërkaq kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj tha se populli ynë përballet me shumë sfida.

“Uroj që Zoti me na i çelë rrugët si popull se me të vërtetë e meritojmë zhvillimin, e meritojmë të mirën”, u shpreh ai. /Reporteri.net/