Begaj në përvjetorin e Masakrës së Reçakut: Thirrja për drejtësi nuk mund të shuhet

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka përkujtuar Masakrën e Reçakut në 27-vjetorin e saj.

Përmes një postimi në Facebook, kreu i shtetit shqiptar ka theksuar se kjo masakër nuk mund të harrohet, duke rikujtuar rolin e ambasadorit William Walker, i cili me denoncimin e tij ndërgjegjësoi komunitetin ndërkombëtar për gjenocidin që po ndodhte në Kosovë.

“Sot përkujtojmë masakrën e Reçakut dhe nderojmë martirët e saj. Denoncimi i saj 27 vite më parë nga Ambasadori William Walker ndërgjegjësoi komunitetin ndërkombëtar për gjenocidin që po ndodhte në Kosovë. Ndërgjegjësimi solli Konferencën e Rambujesë, ndërhyrjen e NATO-s, lirinë, shtetin e Kosovës dhe paqen që sot e gëzojmë bashkërisht. Kjo masakër nuk mund të harrohet! Thirrja për drejtësi nuk mund të shuhet! Nderim martirëve! Mirënjohje aleatit tonë strategjik, SHBA-së”, ka shkruar Begaj, njofton Klankosova.tv.