“FourFourTwo”, e përditshmja britanike, sjell një lajm të bujshëm për të ardhmen e dy prej lojëtarëve më të rëndësishëm të Kombëtares Shqiptare, Tomas Strakosha dhe Elseid Hysaj.
Dy futbollistët të cilët aktivizohen në Serie A italiane, kanë përfunduar në fokusin e finalistes së Champions League, Tottenham Hotspur. “Gjelat” kanë kursyer mjaftueshëm dy sezonet e fundit, asnjë investim të rëndësishëm, por pasi siguruan një vend në finalen e Champions League, tani ka ardhur momenti të rinovojnë grupin, ka ardhur momenti të ndërhyjnë në merkato për të qëndruar konkurrues në Permier League por dhe në Champions.
FourFourTwo ka përpiluar një listë me 6 emra ku londinezët do të përqendrohen në merkaton e verës. Ndryshimi i parë pritet të vijë në portë, Hugo Loris është një kampion bote, një portier që dhe këtë sezon tregoi një nivel të lartë, pavarësisht problemeve jashtë fushës, por francezi nuk mund të vijojë për shumë kohë në nivele kaq të larta.
Tomas Strakosha shihet si zëvendësuesi ideal i Loris, një portier i ri, 23-vjeç, luan shumë mirë me këmbë, ka reflekse të mira, një investim i sigurt për të ardhmen. Në listën e objektivave të Tottenham, gjithnjë sipas të përditshmes britanike, gjejmë dhe Hysaj. Anësori shkodran mund të jetë zëvendësuesi ideal i Kieran Tripper, një nga zbulimet e Botërorit “Rusi 2018”.
Dy klubet, Tottenham dhe Napoli mund të përfshihen në negociata këtë verë pasi Tripper është dhe objektiv i C.Ancelottit. Hysaj është një mbrojtës anësor, që ofron shumë në lojën mbrojtëse por jo aq në atë sulmuese. Megjithatë, është prej tyre që ka çfarë të ofrojë në çdo rast për ekipin. 25-vjeçari është një lojtar që lehtësisht përshtatet në të dyja anët e prapavijës, duke mbuluar jo vetëm të djathtën, por edhe anën e majtë. Pas katër sezonesh në ‘San Paolo’, duket gati për aventurën e re.
BalkanWeb