Bedri Hamza zyrtarizon kandidaturën e Arian Tahirit për kryetar të Mitrovicës

Kryetari aktual i Mitrovicës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka shpallur zyrtarisht mbështetjen e tij për Arian Tahirin si kandidat për kryetar të ardhshëm të komunës.

Përmes një deklarate publike, Hamza theksoi se është koha që drejtimin e Mitrovicës ta marrë një figurë e re, të cilës i beson plotësisht.

“Arian Tahiri është kryetari i ardhshëm i Mitrovicës! Sot, zyrtarisht mbështes të ardhmen. Nga sot, Mitrovicës ia ofrojmë Arian Tahirin si kandidat për të udhëhequr me qytetin tonë të zemrës,” tha ai.

Sipas Hamzës, Tahiri i përfaqëson vlerat që i duhen qytetit: dijen, përkushtimin dhe dashurinë për Mitrovicën.

Ai e vlerësoi kandidatin si doktor shkence, të përgatitur profesionalisht dhe të gatshëm për të marrë përgjegjësi. “Ariani e do shumë Mitrovicën. Është i arsimuar, i vendosur dhe shumë i përkushtuar për t’i shërbyer qytetarëve dhe qytetit tonë, ku ai ka lindur, punon e jeton,” u shpreh ai.

Hamza shtoi se që nga takimi i parë me Tahirin, i ka dhënë mbështetje të parezervë, mbështetje që do të vazhdojë edhe në rrugëtimin e tij të ri politik.

“Unë e mbështes me gjithë zemër. Mbështetne edhe ju! Besoni në Arian Tahirin! Ecim përpara së bashku!”, përfundoi Hamza.

Kandidatura e Arian Tahirit pritet të zyrtarizohet edhe nga strukturat e PDK-së në ditët në vijim.

The post Bedri Hamza zyrtarizon kandidaturën e Arian Tahirit për kryetar të Mitrovicës appeared first on Kosovapost.net.