Bedri Hamza: Qeveria aktuale e ka humbur mbështetjen, Presidentja ta caktojë datën e zgjedhjeve

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, pas dështimit të votimit të Qeverisë së re, ka thënë rruga përpara është vetëm mbajtja e zgjedhjeve të reja.

Sipas Hamzës, dështimi i njëpasnjëshëm i dy mandatarëve tregon qartë se qeveria aktuale e ka humbur mbështetjen politike.

“Shumica që doli nga zgjedhjet e fundit është treguar e paaftë t’i krijojë institucionet e reja, duke shkaktuar pasiguri institucionale, politike dhe shtetërore. Sot e kemi vetëm një rrugë të përgjegjshme përpara: zgjedhjet e reja. Presidentja e vendit duhet ta caktojë sa më shpejt datën e tyre, sepse mjaft kohë kemi humbur”, ka shkruar Hamza.

Ai ka thënë se ka ardhur koha për një qeveri që punon.

“Qytetarët duhet ta rikthejnë stabilitetin institucional përmes votës së tyre, në mënyrë që ne ta krijojmë një qeveri funksionale, reformuese dhe të përgjegjshme. Koha e fjalëve të mëdha ka përfunduar”, ka thënë ai.