Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka pritur sot në takim udhëheqësit e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, duke theksuar rëndësinë që rrëfimet e tyre kanë për shtetin dhe shoqërinë.
“Sot i prita udhëheqësit e OVL-së së UÇK-së, burra që bartin me krenari plagët dhe kujtimet e luftës sonë të lavdishme. Çdo rrëfim i tyre na kujton se ky shtet u ndërtua me sakrifica që as koha dhe as harresa nuk mund t’i shlyejnë,” ka deklaruar Hamza.
Ai ka shtuar se Kosova e së nesërmes duhet të ndërtohet mbi vlerat e luftës dhe sakrificave të gjeneratës çlirimtare.
“Kosova që duam sot, më e zhvilluar, më e fortë, më dinjitoze, duhet të mbështetet mbi vlerat që heronjtë tanë i mbrojtën me jetë”, ka shtuar ai.
Në fund, lideri i PDK-së ka shprehur nderimin e tij për të gjithë ata që sakrifikuan për liri.
“Lavdi të rënëve dhe respekt i përjetshëm për të gjithë ata që dhanë gjithçka për lirinë dhe shtetin tonë!”, ka përfunduar ai.









