Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka thënë se një shtet i zhvilluar nuk ndërtohet pa arsim dhe shëndetësi të fortë.
“Ne do të reformojmë sistemin arsimor, duke e bërë atë të përshtatshëm me tregun e shekullit 21. Do ta bëjmë arsimin profesional më të fuqishëm dhe do të investojmë në universitete me standarde evropiane. Ndërsa, në shëndetësi, do ta funksionalizojmë sigurimin shëndetësor. Asnjë qytetar nuk do të mbetet pa trajtim mjekësor! Barnat esenciale do të jenë falas. Duhet ta dimë dhe ta themi që shëndetësia nuk është luks. Është e drejtë themelore e secilit!”, ka thënë ai.
Hamza ka shtuar se ky nuk është vetëm një plan, por është një zotim dhe është premtimi që do ta mbajë.
“Dhe nuk ka qytet më të denjë për ta nisur frymën e fitores sesa nga Mitrovica. Nga qyteti i minatorëve, të cilët dridhën themelet e ish-sistemit! Qyteti i muzikës, artit, kulturës dhe sportit, qyteti i kampionëve. Qyteti i punës dhe krenarisë. Ne kemi një plan për çdo qytet, për çdo familje, për çdo njeri. Dhe ne do ta bëjmë këtë vend ma të mirë për të gjithë!”, ka thënë Hamza.
Bedri Hamza nga Mitrovica: Koha është tash, do ta çojmë amanetin në vend