Bedri Hamza me përfaqësuesit e bizneseve në Prizren: Lehtësira fiskale dhe qasje më e mirë në kredi

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe kandidati për Kryeministër, Bedri Hamza, ka zhvilluar sot një vizitë në Prizren, ku ka takuar biznesmenë dhe zejtarë vendas në ambientet e ESNAF-it, duke theksuar se dialogu i drejtpërdrejtë me sektorin privat krijon mundësi reale për zhvillim ekonomik.

Hamza ka prezantuar masat kryesore fiskale që synojnë heqjen e barrierave burokratike dhe financiare për bizneset, përfshirë ndryshimin e pagesës së TVSH-së për mallrat e importuara, e cila do të bëhet pas shitjes dhe jo menjëherë në kufi. Po ashtu, ai ka njoftuar se bizneset me qarkullim deri në 10,000 euro do të lirohen nga tatimi, ndërsa ato me qarkullim deri në 30,000 euro do të tatohen sipas fitimit real.

Sipas Hamzës, përmirësimi i qasjes në kredi dhe krijimi i kushteve më të favorshme për investitorët do të forcojnë konkurrencën, do të nxisin investimet dhe do të rrisin punësimin në vend.

“Bisedat me bizneset, si sot në ESNAF me biznesmenë dhe zejtarë të Prizrenit, krijojnë mundësi të reja për zhvillim,” ka theksuar Hamza, duke shtuar se mbështetja e sektorit privat është kyçe për një ekonomi të qëndrueshme.

Në fund, ai ka përsëritur mesazhin e fushatës: “Bashkë për zhvillimin e sektorit privat, përpara për Kosovën!” #PDK130.

https://www.facebook.com/share/p/1AJaCzgXhA/