Bedri Hamza: Ky rezultat është përgjegjësi për riorganizim dhe angazhim më të madh për qytetarët dhe shtetin

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka reaguar pas përfundimit të numërimit të votave, duke falënderuar qytetarët për mbështetjen dhe besimin e dhënë ndaj PDK-së.

Sipas rezultateve përfundimtare, Partia Demokratike e Kosovës ka marrë 192,407 vota, duke u renditur forca e dytë politike në vend. Hamza ka theksuar se ky rezultat merret me përgjegjësi të madhe, veçanërisht në një garë që ai e ka cilësuar si të vështirë dhe të pabarabartë.

“Ruajtja e votës sonë është dëshmi se mijëra qytetarë besojnë në punën, seriozitetin dhe vlerat që përfaqëson PDK,” ka deklaruar Hamza, duke shtuar se ky besim është një obligim i fortë për riorganizim, konsolidim të strukturave dhe intensifikim të veprimit politik.

Ai ka nënvizuar se PDK do të vazhdojë angazhimin për çdo qytetar, pa dallim, në të gjitha platformat ku është e pranishme, me këmbëngulje dhe me bindjen se Kosova meriton më shumë dhe më mirë.

“Faleminderit për besimin. Puna jonë vazhdon,” ka përfunduar Hamza. /Demokracia.com/