Këngëtarja shqiptare me famë ndërkombëtare, Bebe Rexha, ka treguar një anë të re të talentit të saj artistik, duke u sprovuar për herë të parë si DJ.
Artistja e njohur ka ndarë disa fotografi në Instagram, ku shihet duke miksuar muzikë dhe duke lëshuar këngë në një ndejë të organizuar në shtëpinë e saj në Los Angeles.
Në imazhet e publikuara, Bebe duket e përqendruar teksa eksperimenton me pajisjet e DJ-it, duke krijuar atmosferë energjike për të pranishmit.


“Hobi i ri,” ka shkruar Rexha në mbishkrimin e këtyre fotografive, duke lënë të kuptohet se kjo përvojë e re muzikore e ka entuziazmuar.
Përveç aventurës së saj të re në botën e miksimit të muzikës, Bebe Rexha është duke punuar intensivisht në studio, me qëllim që së shpejti të publikojë albumin e saj të katërt.


Ajo ka premtuar surpriza të mëdha për fansat e saj, të cilët mezi presin projektin e saj të radhës.
Mbetet për t’u parë nëse ky “hobi i ri” do të shndërrohet në një pjesë të rëndësishme të karrierës së saj apo thjesht një pasion i momentit.