Artistja shqiptare me famë botërore, Bebe Rexha, ka reaguar së fundmi në rrjetin TikTok ndaj një videoje-lajm që po qarkullon rreth saj – dhe që sipas saj, përmban “gati asgjë të vërtetë”.
Në videon që artistja ka ndarë me ndjekësit e saj, shihet një montazh lajmesh që pretendojnë se trupi i saj ka ndryshuar shumë gjatë viteve për shkak të problemeve me fertilitetin, duke shtuar më tej se gjithçka nisi pasi ajo u godit me një telefon gjatë një koncerti në New York. Më tej, në video thuhet se Bebe Rexha ka qenë në një lidhje me reperin G-Eazy, i cili e kishte maltretuar dhe se çifti ishte ndarë mes dramash.
E tronditur nga këto pretendime të rrejshme, 35-vjeçarja ka reaguar përmes një videoje të publikuar në TikTok, ku mes të tjerash ka thënë se në fakt kjo video nuk ka asnjë lloj vlere.
“Pse ka kjo rëndësi? Nuk ka aspak në fakt. Dhe lajmi më i rëndësishëm është se unë kam qenë duke punuar në muzikë këto dy vitet e fundit dhe jam shumë e entuziazmuar për këtë. Dhe për njerëzit – disa janë shumë mbështetës, por disa janë shumë të obsesionuar me peshën time dhe trupin tim, prej një gruaje në të tridhjetat, krahasuar me atë që isha në të njëzetat. Po, isha masa 4, 6, 8 dhe tani jam masa 10 deri në masën 12. Nëse kjo është në rregull me ju dhe mund ta përballoni, unë jam duke punuar në muzikë të re dhe shpresoj ta dëgjoni atë”.
Duke hedhur poshtë edhe thashethemet për një lidhje me G-Eazy, Bebe shtoi me qartësi: “Dhe sa për të qenë të qartë, unë nuk kam qenë kurrë në dashuri me G-Eazy. Ajo është një tjetër histori”.
Kujtojmë se dy artistët kanë bashkëpunuar më herët në hitet “Me, Myself and I” dhe “F*ck Fake Friends”, bashkëpunime të cilat iu dhanë një njohje globale të dyve, veçanërisht “Me, Myself and I” që ka jo më pak se mbi një miliard dëgjime në Spotify.
Por më vonë, përmes postimeve në rrjetet sociale, u bë e ditur se miqësia mes tyre ishte prishur, dhe vetë Bebe kishte deklaruar se kjo ndodhi për shkak të “mosmirënjohjes” së reperit.