Bebe Rexha publikon një video nga një intervistë e para 10 viteve, ndryshimi i saj në një dekadë është dukshëm i madh

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Bebe Rexha, ka ndarë së fundmi me ndjekësit e saj në Instagram një kujtim të veçantë nga e kaluara, duke rishpërndarë një video që rikthen emocionet e fillimeve të saj si artiste në skenat e mëdha muzikore.

Videoja, e cila fillimisht ishte publikuar nga një faqe fansash, e tregon Beben në vitin 2015, duke folur me entuziazëm për turneun e saj me Nick Jonas, në një periudhë kur karriera e saj sapo kishte nisur të marrë hov në tregun ndërkombëtar.

Ajo shfaqet në një version krejt tjetër nga ai që publiku njeh sot – me flokë të zeza, më e dobët në pamje, por me po të njëjtin pasion për muzikën dhe skenën.

Foto: Bebe Rexha/InstaStory

Ky rikthim nostalgjik ka emocionuar fansat, të cilët kanë komentuar me dashuri për rrugëtimin e saj dhe transformimin e jashtëzakonshëm gjatë dekadës së fundit.

Sot, pas plot 10 vitesh, Bebe Rexha jo vetëm që ka ndryshuar stilin – tashmë e njohur për pamjen e saj karakteristike si bionde – por edhe ka ndërtuar një karrierë të fuqishme ndërkombëtare. Ajo ka publikuar tre albume në treg, ka katër këngë me mbi një miliard dëgjime, ka fituar çmime të shumta muzikore dhe është nominuar katër herë për Grammy, një arritje e jashtëzakonshme për një artiste shqiptare në skenën globale.

Bebe Rexha në ‘Met Gala 2025’ (Foto: Bebe Rexha/Instagram)

Ky moment i thjeshtë i ndarë me fansat, dëshmon jo vetëm për rrugëtimin artistik të Bebe Rexhës, por edhe për lidhjen e saj të pandërprerë me publikun që e ka ndjekur dhe mbështetur që në hapat e parë të karrierës.