Ministrat e Energjisë miratuan planin për ndërprerjen graduale të kontratave të reja që nga viti 2026.
Bashkimi Evropian ka rënë dakord të ndërpresë gradualisht importet e gazit rus deri më 1 janar 2028, në kuadër të përpjekjeve për të reduktuar varësinë nga energjia ruse dhe për t’i hequr Kremlinit burimet e financimit të luftës në Ukrainë, raportoi Reuters të hënën.
Sipas Këshillit të BE-së, ministrat e Energjisë miratuan planin që ndalon kontratat e reja për gaz rus nga janari 2026, mbyll kontratat afatshkurtra ekzistuese nga qershori 2026 dhe ndalon përfundimisht importet e gazit rus në janar 2028.
Ligji ende nuk është përfundimtar, pasi duhet të negociohet me Parlamentin Evropian, i cili po shqyrton pozicionin e tij.
Aktualisht, Rusia përbën rreth 12 për qind të importeve të gazit të BE-së, nga 45 për qind që ishte përpara pushtimit të Ukrainës në vitin 2022.
Ndër vendet që vijojnë të marrin gaz rus janë Hungaria, Franca dhe Belgjika.
Propozimi i Komisionit Evropian përfshin lehtësime për shtetet pa dalje në det, si Hungaria dhe Sllovakia, të cilat më parë kishin kundërshtuar ndalimin e importeve të naftës dhe gazit rus.