BE thotë se Kosova s’tregoi koherencë në luftën kundër korrupsionit pavarësisht deklarimeve të forta politike

Në Raportin e Progresit të publikuar sot nga Bashkimi Evropian, është konstatuar se Kosova është në mes të një faze të hershme të përgatitjes dhe një niveli të caktuar të përgatitjes për luftën kundër korrupsionit.

Në këtë raport, thuhet se Kosova ka bërë “përparim të kufizuar” në këtë drejtim.

Në raport thuhet se “ Kosova ende nuk ka një kornizë strategjike në fushën e luftës kundër korrupsionit”.

Gjithashtu thuhet se pavarësisht deklarimit të qartë politik për të forcuar masat kundër korrupsionit, s’ka pasur qasje koherente në këtë drejtim.

“Për të luftuar në mënyrë efektive korrupsionin në të gjitha nivelet, Kosova duhet të bëjë një përdorim më të mirë të legjislacionit ekzistues kundër korrupsionit, përfshirë Ligjin për kompetenca të zgjeruara të konfiskimit. Mjetet parandaluese si deklarimet e pasurisë dhe planet e integritetit të institucioneve publike duhet të përdoren më efektivisht për të identifikuar dhe parandaluar korrupsionin që në rrënjë. Kosova vazhdoi të ndërmarrë vlerësime të rrezikut në sektorët e ndjeshëm”, thuhet në Raportin e Progresit.