Kremlini thotë se marrëveshja varet nga heqja e masave të vendosura ndaj bankës bujqësore.
Brukseli ka hedhur poshtë kërkesën e Rusisë për të hequr kufizimet e Bashkimit Evropian për një bankë kyçe bujqësore, si pjesë e një marrëveshjeje të pjesshme të armëpushimit, duke thënë se regjimi i saj i sanksioneve do të qëndrojë në fuqi deri në “tërheqjen e pakushtëzuar” të trupave të Moskës nga Ukraina.
Deklarata e Komisionit Evropian të mërkurën erdhi pasi SHBA-të thanë se kishin rënë dakord për një armëpushim me Rusinë dhe Ukrainën, duke mbuluar infrastrukturën energjetike dhe Detin e Zi.
Kremlini më vonë pretendoi se marrëveshja varej nga heqja e sanksioneve, përfshirë ato të vendosura ndaj Rosselkhozbank, një bankë e përfshirë në financimin e prodhimit dhe eksportit të ushqimit dhe rilidhjen e tij me sistemin global të mesazheve bankare Swift.
“Përfundimi i agresionit të paprovokuar dhe të pajustifikuar rus në Ukrainë dhe tërheqja e pakushtëzuar e të gjitha forcave ushtarake ruse nga i gjithë territori i Ukrainës do të ishte një nga parakushtet kryesore për të ndryshuar ose hequr sanksionet”, tha për Financial Times Anitta Hipper, zëdhënëse e Komisionit Evropian për punët e jashtme.
“Fokusi kryesor i BE-së mbetet të maksimizojë presionin ndaj Rusisë, duke përdorur të gjitha mjetet në dispozicion, përfshirë sanksionet, për të zvogëluar aftësinë e Rusisë për të zhvilluar luftën e saj kundër Ukrainës”.
Komisioni ka hedhur poshtë gjithashtu akuzat ruse se sanksionet e saj kundër Moskës kanë kufizuar eksportet e ushqimit dhe plehrave, një temë e ndjeshme politikisht duke pasur parasysh rëndësinë e të dyjave për vendet më të varfra.
“BE ka mbështetur vazhdimisht përpjekjet drejt rritjes së sigurisë globale të ushqimit. Sanksionet e BE-së nuk synojnë tregtinë e mallrave bujqësore, duke përfshirë ushqimin, drithërat dhe plehrat, në asnjë mënyrë, midis Rusisë dhe vendeve të treta”, shtoi Hipper.
Pozicioni i BE-së do të vijë si një lehtësim për Ukrainën, e cila është nën presion të madh nga Washingtoni për të bërë lëshime për t’i dhënë fund pushtimit të plotë të saj që Rusia filloi tre vjet më parë.
Presidenti Volodymyr Zelensky ka thënë se sanksionet perëndimore kundër Rusisë duhet të mbeten në fuqi derisa Kremlini të ndalojë luftën kundër vendit të tij.
Në fjalimin e tij të së martës në mbrëmje, lideri ukrainas tha se armëpushimi detar që varet nga lehtësimi i sanksioneve për sektorin bujqësor të Rusisë nuk u pajtua nga tre palët gjatë bisedimeve të tyre paralele në Riad.
Ai tha se kjo ishte “diçka për të cilën Kremlini po gënjen përsëri: se gjoja heshtja në Detin e Zi varet nga çështja e sanksioneve dhe se gjoja data e fillimit të heshtjes në sektorin e energjisë është 18 marsi”.
“Ne shohim se si rusët tashmë kanë filluar të manipulojnë”, shtoi Zelensky. “Ata tashmë po përpiqen të shtrembërojnë marrëveshjet dhe në fakt të mashtrojnë ndërmjetësit tanë dhe të gjithë botën”.
Dmitry Peskov, zëdhënësi i Putinit, u tha gazetarëve se kërkesat e Rusisë përsërisin kryesisht atë që Moska pretendonte se kishte rënë dakord në versionin 2022 të marrëveshjes së Detit të Zi të ndërmjetësuar nga OKB-ja dhe Turqia.