BE-ja pritet t’ua ndalojë hyrjen atyre që luftuan me Rusinë kundër Ukrainës

Bashkimi Evropian shpreson të ndalojë hyrjen në territorin e saj të ushtarëve rusë, si pjesë e sanksioneve të mëtejshme kundër Moskës, të cilat synojnë gjithashtu bankat, kompanitë e kriptomonedhave dhe të ardhurat nga nafta të Kremlinit.

“Ne propozojmë për herë të parë të ndalohet hyrja në Bashkimin Evropian për këdo që ka shërbyer në forcat e armatosura ruse që nga fillimi i luftës. Kështu, Evropa mbetet e ndaluar për këdo që ka marrë pjesë në pushtimin e Ukrainës, kaq e thjeshtë është”, ka thënë presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen duke shpallur propozimet të martën.

Propozimi për ndalimin e vizave për pjesëmarrësit në luftime është pjesë e paketës më të fundit të BE-së për forcimin e sanksioneve kundër Rusisë. Këto propozime mund të ndryshohen dhe duhet të miratohen njëzëri nga 27 shtetet anëtare.

“Sanksionet tona vazhdojnë të godasin fort dhe thellë. Ato po dobësojnë bazat ekonomike të përpjekjeve luftarake të Rusisë”, ka thënë von der Leyen teksa ka prezanuar planet, të cilat përbëjnë paketën e 21-të të masave që nga pushtimi i plotë i Ukrainës nga Moska, në shkurt të vitit 2022.

Komisioni gjithashtu dëshiron të ruajë kufirin maksimal të çmimit për naftën ruse në 44 dollarë për fuçi deri në janar të vitit 2027, gjë që do ta pengonte Kremlinin të përfitonte nga rritja e çmimeve të naftës së papërpunuar, e shkaktuar nga mbyllja e Ngushticës së Hormuzit.

“Ne duam të ruajmë intensitetin e plotë të sanksioneve tona”, ka thënë von der Leyen.

Zyrtarët e BE-së duan gjithashtu të shtojnë në listën e zezë edhe 30 anije të tjera të ashtuquajturës “flotë në hije” të cilat ndihmojnë Rusinë të shmangë sanksionet perëndimore, përveç 632 anijeve që tashmë janë nën kufizime.

Brukseli dëshiron të zgjerojë sanksionet kundër kompanive të kriptomonedhave që po ndihmojnë Rusinë të përballojë përjashtimin nga tregjet perëndimore të kapitalit. Ai propozon vendosjen e sanksioneve ndaj 20 bankave, kompanive të kriptomonedhave dhe tregtarëve të naftës në vende të treta, të cilët konsiderohen se po e ndihmojnë Rusinë të shmangë sanksionet.

Estonia e ka vendosur më herët këtë vit në agjendë ndalimin e hyrjes për ish-luftëtarët rusë. Ministri i saj i Jashtëm, Margus Tsahkna, u ka thënë gazetarëve në janar se ndalimi i vizave është i nevojshëm për sigurinë e Evropës.

“Putini do t’i shtyjë këta njerëz drejt Evropës”, ka thënë ai, duke iu referuar sulmeve hibride të vazhdueshme nga agjencitë ruse brenda BE-së.

“A mund ta imagjinoni që qindra mijëra ish-luftëtarë dhe kriminelë të vijnë këtu?”, ka deklaruar ai. “Jam i sigurt se ata nuk do të vijnë thjesht për të punuar dhe për të paguar taksa. Jo, ata do të bëjnë shumë gjëra të këqija”.

Von der Leyen ka konfirmuar gjithashtu vendimin për të vazhduar me negociatat e Ukrainës për anëtarësim në BE. Blloku pritet të hapë javën e ardhshme grupin e parë të kapitujve negociues, mbi sundimin e ligjit dhe standardet demokratike, në bisedimet e anëtarësimit me Ukrainën dhe Moldavinë.

“Kjo në thelb hap derën për fazën e ardhshme të procesit të anëtarësimit, fillimin zyrtar të negociatave”, ka thënë ajo.

Propozimet më të fundit për sanksione shtrihen për herë të parë edhe te importet e peshkut rus, me një ndalim të mundshëm për merlucin dhe kufizime në tregtinë e llojeve të tjera të peshkut.

BE-ja synon gjithashtu të ndalojë importin e metaleve, xeheve minerare dhe pjesëve të automjeteve nga Rusia, me vlerë prej 60 milionë eurosh, si pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për të kufizuar lidhjet ekonomike.

Po ashtu propozohen kufizime të eksportit për metalet dhe lidhjet metalike që përdoren në industrinë ajrore dhe të mbrojtjes, përfshirë pajisjet për dronë dhe sistemet e lëshimit.